Dhurojnë flokët për ata që kanë nevojë

14:37 | 19 Prill 2016
M. A.

Profesioni për të cilin studiojnë konsiderohet të jetë human, por humanitetin e tyre ata zgjodhën që ta tregojnë ende pa e ushtruar mirë profesionin e tyre. Ndihma që ata po e japin nuk po i shëron nevojtarët, por i ndihmon që të mos ndihen ndryshe nga rrethi. Është ky grupi i studentëve të mjekësisë në Kosovë, të cilët duke pasur simpati për pacientët që i shohin në spitalet e Kosovës e që për arsye të sëmundjeve të ndryshme kanë probleme me rënien e flokëve, vendosën që ndryshimin ta bëjnë te vetja, duke i prerë flokët për t’i dhuruar për ata që kanë nevojë.

Organizata e studentëve të mjekësisë “European Medical Students Association-Prishtina” (EMSA Prishtina), tani e disa javë është duke zhvilluar kampanjën “Ëigs for Kids Kosovo”, me qëllimin e vetëm që të qytetarët që kanë flokë të gjata t’i presin dhe t’i dhurojnë ato për të bërë paruke për të gjithë të fëmijët që u kanë rënë flokët për shkak të sëmundjeve si kanceri,leukemia, aulobecia, sëmundjeve dermatologjike apo që kanë djegie në kokë.

Në një intervistë për KosovaPress, Bujar Qerreti nga EMSA Prishtina, i cili i kishte rritur flokët për më shumë se dy vite me qëllim që t’i dhuronte për këta fëmijë, tregoi se si ka ardhur deri te realizimi i kësaj kampanje, si dhe ecurinë e saj.

Qerreti me ndjeshmëri tregoi se e gjithë ideja kishte filluar nga kontakti me këta pacientë që kanë probleme me rënie të flokëve dhe dëshira për të bërë diçka në të mirë të këtyre pacientëve, pasi statusi i studentit nuk u lejon t’i trajtojnë në mënyra tjera mjekësore.

Ai tregoi që përgatitjet për këtë projekt kishin filluar kohë më parë, duke bërë së pari identifikim e pacientëve që kanë nevojë për paruke, e të cilët trajtohen nëpër spitale të vendit. Pas identifikimi të pacientëve dhe fillimin e realizimit të këtij projekti, dhurimin e flokëve Qerreti e konsideroi dhuratë emocionale dhe transmetimin e energjisë pozitive që mund ta bëjë dikush vetëm në baza vullnetare.

 

“Nuk kam besuar që projekti mundet të ecë kaq mirë për disa arsyeje. Projektiështë ideuar për me qenë punë vullnetare dhe përderisa ke të bësh me trajtimin e asaj se si ndjehen pacientët tek ne ose për ta ndryshuar atë gjendje të pacientëve për të mirë, nuk mundesh me fut edhe pjesën financiare aty. Ajo nuk është diçka që blihet, është diçka që mundesh me dhuruar vetëm në formën emocionale, me transmetuar një energji pozitive. Kështu që është parë shumë e arsyeshme që ky projekt të fillojë dhe përfundojë krejt në baza vullnetare. Ekipi është kompletuar me njerëz shumë profesional që kanë shprehur gatishmërinë me iu bashkëngjit projektit dhe pasi është kompletua ekipiprofesionale dhe ia kemi dedikuaar një kohë kogja të majme”, tha ai.

Tani që ky projekt po jetësohet, Qerreti tregoi se qytetarët e kanë parë seriozitetin e këtij projekti dhe për këtë interesimi që po tregohet për t’i dhuruar flokët është i madh.

Qerreti sqaroi se qytetarët e interesuar për të dhuruar flokët lajmërohen te EMSA Prishtina dhe kështu futen në listën e pritjes, derisa të thirren për të bërë dhurimin. Pas dhurimit, sipas Qerretit floku përgatitet në formën e duhur dhe dërgohet jashtë vendit për t’u prodhuar paruke të cilat pastaj kthehen dhe u shpërndahen nevojtarëve.

 

“Floku i përgatitur mbështjellët në mbështjellës special, ruhet prej të gjitha kushteve të tjera atmosferike, futet në paketa të veçanta dhe dërgohet me postë në fabrika jashtë vendit për arsye se te ne nuk kemi fabrika që merren me përpunimin ose me përgatitjen e parukave. Faza e punimit të parukave zgjat prej 30 deri në 40 d itë, kështu që pas asaj faze flokët kthehen prapë te ne. Me ato flokë që tashmë përgatiten në paruke marrim dhe i dërgojmë te personat që kanë nevojë për atë paruke. Secili person që ka probleme me rënie të flokëve dhe që ka nevojë për një paruke, ne shkojmë dhe ia matim parametrat e kokës dhe në bazë të atyre parametrave ia porosisim parukën e veçantë për atë person”, tha ai.

Dhurimin e flokëve, Qerreti tregoi se mund ta bëjnë edhe ata të cilët i kanë prerë me herët por i ruajnë ende, derisa shtoi se nëse numri i dhuruesve është i madh, kohëzgjatja e projektit e paraparë për 4 muaj mund të zgjatet.

Qerreti bëri thirrje për të gjithë ata që kanë flokët mbi 30 centimetra të gjata që t’i dhurojnë ato në mënyrë që të ndihmohen fëmijët që kanë nevojë për to.

Shpërndaje në rrjete sociale