Malisheva bëhet me çerdhen e parë publike

12:51 | 15 Prill 2016
Arbresh.info

Në një ceremoni solemne, në Malishevë sot është hapur çerdhja e parë publike për fëmijë, ku morën pjesë i pari i Malishevës, Ragip Begaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, Valdete Bajrami dhe Shukrie Bytyçi, si dhe qytetarë e prindër të shumtë.

Begaj tha se kjo cerdhe është shumë e rëndësishme, sidomos për nënat të cilat janë angazhuar në punë dhe se obligim i qytetarëve tani mbetet ta mbajnë institucionin.

“Jam shumë i kënaqur, që për herë të parë në Malishevë, po e hapim një çerdhe për fëmijë. Kemi dhënë maksimumin për ndërtimin dhe hapjen e çerdhes dhe kjo është e arritur e jona, në kuadër të të arriturave në arsim, dhe për këtë jam krenar. Ne kemi dhënë mundim tonë për ndërtimin e kësaj çerdhe, por tani është përgjegjësi e menaxhmentit dhe edukatoreve, që ta mbajnë këtë”, tha Begaj, duke i porositur punonjëset e çerdhes, për mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shukrie Bytyçi, tha se ka munguar një institucion i tillë, sidomos për gratë që punojnë.

Drejtori i Drejtorisë për arsim dhe edukim, Avdi Morina, tha se  për herë të parë në qytetin e Malishevës, po  hapet një institucion i këtillë parashkollorë, ku do të hyjnë fëmijët e moshës  nëntë muaj, deri në atë pesë vjeçare.

Kjo çerdhe ka një kapacitet për pranimin e tetëdhjetë fëmijëve dhe është ndërtuar nga buxheti i Komunës së Malishevës, e cila ka kushtuar rreth 14 mijë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme