Estonia mbështet agjendën evropiane të Kosovës

14:46 | 14 Prill 2016
M. A.

Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka pritur sot në takim një delegacion me zyrtarë të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Estonisë të kryesuar nga Mart Laanemae, nënsekretarë për Marrëdhënie Evropiane dhe Transatlantike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë.

Gjatë këtij takimi u diskutua për agjendën evropiane të Kosovës e në mënyrë të veçantë për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA),si dhe për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Zëvendësministri Ilazi, fillimisht falënderojë delegacionin estonez për përkrahjen e vazhdueshme që Republika e Estonisë i ka ofruar Republikës së Kosovës si dhe e vlerësoi bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve.

Sipas një komunikate të Ministrisë së Integrimeve, Ilazi i ka informuar për angazhimin e institucioneve në drejtim të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave, duke theksuar se Kosova ndodhet në një fazë vendimtare sa i përket këtij procesi pasi ka përmbushur kriteret e përcaktuara.

Po ashtu, ai nënvizoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për zbatimin e MSA-së brenda afateve të përcaktuara.

Ndërkaqm nënsekretari për Marrëdhënie Evropiane dhe Transatlantike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Estonisë, Mart Laanemae, rikonfirmoi mbështetjen e shtetit të tij ndaj agjendës evropiane të Kosovës, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Shpërndaje në rrjete sociale