Eris Durmishi pritet si hero në shkollën “Musa Hoti”

16:45 | 12 Prill 2016
M. A.

Shumë nxënës e arsimtarë të shkollës fillore “Musa Hoti” në Mitrovicë, nuk kanë arritur që të martën t’ia japin dorën nxënësit të klasës së VI-të të kësaj shkolle, Eris Durmishi.

Qindra nxënës e arsimtarë të kësaj shkolle kishin organizuar pritje madhështore për 11-vjeçarin.

“Na ke ndritë fytyrën, na ke bërë të ndjehemi krenarë, të lumtë”, i thotë njëri prej arsimtarëve, pasi e puthë në të dyja faqet Erisin, që një javë më parë mori çmimin Mister Little Galaxy 2016 në Gjeorgji.

“Prit ta shohim pak Erisin”, insistojnë disa nxënëse të cilat sapo kanë arritur në shkollë.

“Mirë se na ke ardhë bukurosh”, i thotë një shok tjetër, duke e përqafuar fort.

Vetë Eris Durmishi, duke folur për KosovaPress, ka bërë të ditur se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur për vendin e parë, por veçmas për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës nga ana e tij.

Ai tha se tani veç ka filluar të marrë ftesa të shumta për evente të tilla nga shumë vende të botës, derisa ka potencuar se pa ndihmën e familjes nuk do të kishte mundur të arr ijë deri këtu.

“Jam shumë krenar që kam fituar vendin e parë, por krenar edhe që kam përfaqësuar Republikën e Kosovës…Organizimi ka qenë shumë i mirë. Falënderoj organizatoren Ekën, sepse ajo ka bërë prezantime të mëdha për Kosovën…Më ka ndihmuar familja dhe Komuna…Kam ftesa nëpër disa vende të ndryshme të botës, në Budapest, Bukuresht, Romë, Paris… më kanë pritur në mënyrë tepër të mirë”, ka thënë Erisi.
Ndërkaq, babai i Erisit, Ylber Durmishi, theksoi se në Gjeorgji kishin shkuar vetëm sa për të marrë pjesë, dhe se nuk e kishte menduar asnjëherë fitoren.

Edhe ai ka potencuar fitoren e djalit të tij si fitore jo vetëm të familjes, por të mbarë Kosovës. Sipas tij, përkundër angazhimeve të mëdha në punë, ai do të vazhdojë ta mbështesë Erisin gjithmonë, duke kërkuar ndihmën edhe të institucioneve në këtë drejtim.

Në anën tjetër, drejtori i shkollës ‘Musa Hoti’ në Mitrovicë, Iset Beka, u shpreh krenar për suksesin e Erisit, duke e përshkruar atë si një nxënës mjaft kreativ dhe shembullor në mësime.

“Erisi jo vetëm që është një djalë simpatik dhe një figurë kreative me të cilën e ka përfaqësuar në Gjeorgji jo vetëm qytetin tonë, por edhe Kosovën dhe ngjyrat e saj, por ai është një nxënës i talentuar, shembullor dhe kjo na bën krenar… I urojmë Erisit suksese edhe në të ardhmen, fat në jetë dhe të gjitha të mirat”, tha drejtori Beka.

Takimi me Erisin ka ndodhur pas shpalljes së tij fitues në Festivalin ndërkombëtar për talent dhe bukuri në kategorinë deri 13 vjeç ‘Mister Little Galaxy 2016’, që u mbajt më 6 prill në qytetin Kutaisi të Gjeorgjisë, ku Kosova u përfaqësua nga 11-vjeçari mitrovicas.

Këtë çmim ai e mori para një jurie profesionale ndërkombëtare, e përbërë nga 21 anëtarë, duke bërë jehonë të madhe edhe tek mediat e huaja, ku morën pjesë përfaqësues të shumë vendeve nga Evropa dhe kontinentet tjera.

“Little Miss Mister Galaxy 2016” u mbajt nën përkujdesjen e presidentes së njohur botërore për organizime të tilla Irina Papazova, ku shteti i Kosovës u prezantua i barabartë me të gjitha shtetet tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale