Ferronikeli ndërpret prodhimin, punëtorët frikësohen se do të mbesin të papunë

20:50 | 31 Mars 2016
M. A.

Rreth 900 punëtorë, të cilët punojnë në Fabrikën e Ferronikelit, më e madhja në vend për përpunimin e nikelit, kanë frikën që do të mbesin papunë, pas një njoftimi se do të ketë një ndërprerje të përkohshme të prodhimit, me arsyetimin se do të bëhen disa riparime të thella në teknologjinë prodhuese, duke filluar nga 1 prilli.

Edhe pse zëdhënësja e Ferronikelit thotë që nuk do të largohen punëtorët nga puna, një gjë të tillë nuk e besojnë ata.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të Ferronikelit, Fehmi Nika tregon për KosovaPress se janë duke biseduar me menaxhmentin e fabrikës, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje dhe që punëtorëve të mos u rrezikohet vendi i punës.

Por, një rrezik i tillë për punëtorët e Ferronikelit nuk ekziston, sipas zëdhënëses së fabrikës më të madhe në Drenas, Lindita Daija. Ajo tha se menaxhmenti i kësaj fabrike ka gjetur mënyrën për të mbajtur në punë punëtorët.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës Fehmi Nika,për KosovaPress tha se menaxhmenti i Fabrikës së Ferronikelit nuk ka marrë ende ndonjë vendim se çfarë do të bëhet më çështjen e punëtorëve dhe se a është duke u diskutuar për t’u gjetur një zgjidhje, pa dëmtuar statusin e punëtorëv e.

 

“Janë disa komponentë që e çojnë kompaninë në këtë situatë. Është remonti që do të bëhet në agregatë të caktuar, e para. E dyta, është çmimi i ulët i Ferronikelit në berzën ndërkombëtare dhe e treta është energjia që është jashtëzakonisht e shtrenjtë sa i përket çështjes së prodhimit të Ferronikelit. Këto janë tri komponente të cilat e shtyjnë këtë kompani të shkojë në ndërprerje të caktuar prej 2 ose 3 muajve në ditë. Në biseda me menaxhmentin i kam premtimet për 2 muaj ditë, por në media e pash që e kanë lëshuar një komunikatë për 3 muaj ditë. Kjo është e gjitha sa i përket çështjes së punëtorëve. Ne nuk kemi marrë akoma vendime se çka do të bëhet me çështjen e punëtorëve. Punëtorët nuk largohen asnjëri nga puna, sipas menaxhmen tit dhe premtimeve të tij, por jemi përpjekur që të gjejmë një mes që mos të dëmtohen punëtorët tepër”, tha Nika.

Nika ka treguar se si zgjidhje, menaxhmenti ka propozuar që të shkohet me 50 për qind zbritje të pagës që kanë, por kjo për punëtorët është e pa pranueshme. Kjo çështje, sipas tij, ende është duke u negociuar.

Zëdhënësja e Ferronikelit, Lindita Daija, tha se tani është momenti i duhur për të bërë riparime në fabrikë, pasi që kështu ka vlerësuar edhe një grup i ekspertëve. Kjo pasi Ferronikeli po pëson rënie të vazhdueshme në berzën botërore . Madje, ajo tha se me këtë problem po ballafaqohet e gjitha bota dhe jo vetëm Kosova.

 

Sa i përket rrezikut të largimit të punëtorëve nga kjo fabrikë, ajo tha se një gjë e tillë nuk do të ndodh dhe se menaxhmenti i Fabrikës Ferronikeli ka gjetur metodologjinë që punëtorët e kësaj fabrike të vazhdojnë punën e tyre.

“Parashihet në bazë të përmbushjes së disa kushteve të vazhdohet të jetë funksional, por këtë nuk mund ta dimë deri sa ta tejkalojmë këtë fazë. Edhe varet a rritet çmimi i nikelit dhe sa shpejtë fillon prodhimi dhe si shkojnë riparimet në furrën rrotulluese. Nuk ka datë, do të thotë është paraparë për 90 ditë. Punëtorët do të vazhdojnë punën, kuptohet që kursi në këtë periudhë do të fokusohet rreth mirëmbajtjes. Do të thotë, ka disa profile të punëtorëve që do të jenë shumë më shumë të angaz huar deri sa të kthehet fabrika në gjendje operacionale. Por, sidoqoftë të gjithë punëtorët e Ferronikelit do të qëndrojnë në marrëdhënie të punës. Për të tejkaluar këtë krizë menaxhmentit i është dashur të ndërmarr disa masa për reduktimin e shpenzimeve operacionale, por sido që të jetë, menaxhmenti ka gjetur metodologji të duhur që t’i mbajë ët gjithë punëtorët në marrëdhënie pune”, theksoi ajo.

Dija ka treguar se janë zvogëluar edhe shpenzimet në shumë kategori, duke thënë se të gjithë janë “në një anije”, si menaxherët, aksionarët dhe punëtorët. Ajo, shprehet bindshëm që fabrika do të rifillojë punën pas 90 ditëve.

Në këtë fabrikë punojnë rreth 900 punëtorë. 600 prej tyre janë të rrethit të Drenasit, përfshirë Skenderajn, Mitrovicën e tutje. Fabrik, aktualisht ka 250 kontraktorë.

Shpërndaje në rrjete sociale