Vendimi për demarkacionin i papranueshëm për Opozitën

19:44 | 30 Mars 2016
M. A.

 Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, raportin e Komisionit Ndërkombëtar për demarkacionin e kanë quajtur të papranueshëm.

Nëpërmjet një reagimi të përbashkët, opozita thotë se ka shprehur skepticizmin e saj në mënyrë të vazhdueshme me këtë komision, pasi nuk pasur në përbërje asnjë nga ekspertët vendorë.

Sipas opozitës, të gjeturat e këtij ekipi ndërkombëtar, janë vlerësime të bëra për nevojat e presidentes.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të opozitës:

VENDIMI PËR DEMARKACIONIN, I PAPRANUESHËM PËR OPOZITËN

Opozita e Bashkuar që me krijimin e komisionit të ri për demarkacionin me Malin e Zi ka shprehur skepticizmin dhe kundërshtimin e saj, për shkak se ky komision nuk përmbante asnjë ekspert vendor dhe në anën tjetër, kishte përcaktuar që metodën e punës ta kishte të njëjtë me atë të komisionit paraprak. Një komision që nuk përmban ekspertë vendorë dhe që ka metodë të njëjtë me komisionin e kaluar, nuk kishte se si të sillte rezultate të ndryshme nga ai.

Opozita e Bashkuar vlerëson se të gjeturat e këtij ekipi ndërkombëtarë, për vlerësimin e punës së Komisionit Shtetëror të Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e zi, janë vlerësime që janë bërë për nevojat e Presidentes dhe si të tilla nuk mund të kenë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e zi.

Kufijtë e Kosovës mund t’i caktojë vetëm një Komision kredibil shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumenta valide, metodologji adapte të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personave prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë.

Kufiri i Kosovës me Malin e zi është në Çakorr dhe në Kullë të Zhlepit, dhe pavarësisht vlerësimit të tre ekspertëve ndërkombëtar, demarkacioni i kufirit me Malin e zi, nuk është i pranueshëm për opozitën dhe qytetarët dhe do të kundërshohet pa kompromis. Mbi 205 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër këtij demarkacioni dhe vullneti i tyre nuk është marrë parasysh as nga presidentja e as nga ky ekip.

Argumentet e paraqitura nga ky ekip ndërkombëtar se demarkacioni me Malin e zi është një proces legal e ku nuk ka pasur shpërputhje ndërmjet dy komsioneve shtetërore, nuk qëndron, sepse edhe në një proces legal, e ku nuk ka as shpërputhje, mund të bëhën zgjidhje jolegale, sic ka ndodhur me rastin e Kosovës me Malin e Zi.

Kosova nuk ka territore për të falur dhe tërësinë e saj territoriale do ta mbrojmë pavarësisht vendimeve të tilla. 

Shpërndaje në rrjete sociale