Identifikohen trafikuesit e Zyra Hidës në Amsterdam, shpallen në kërkim

19:48 | 29 Mars 2016
M. A.

Policia e Elbasanit ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim dy shtetas nga Elbasani, të dyshuar si autorë të trafikimit të shtetases Zyra Hida, e vrarë në vitin 1997 në Amsterdam të Holandës.

Efektivët e policisë thonë se po punojnë për kapjen e shtetasve SH.M dhe G.S.

Ndaj tyre janë referuar materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale “Trafikimi i personave” .

Zyra Hida u identifikua 19 vjet pas vrasjes në Amsterdam, pasi një grup gazetarësh holandezë të televizionit “SBS” erdhën në Shqipëri dhe arritën të gjenin familjen e saj.

“Shtetasja u identifikua nga familjarët si Zyra Hida, e datëlindjes 1966, banuese në Elbasan , e larguar nga banesa në vitin 1995. Specialistët e Sektorit kundër trafiqeve të paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, menjëherë nisën hetimin dhe rezultoi se viktima nga viti 1995 deri në vitin 1997 ishte trafikuar drejt shtetit Italian dhe më pas në Holandë me qëllim shfrytëzimin e saj për prostitucion” , sqaron më tej policia.

Shpërndaje në rrjete sociale