Nisma takohet me ekspertët për demarkacion

18:26 | 29 Mars 2016
M. A.

Kreu i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj thotë se është takuar me anëtarët e Komisionit për Demarkacion, të themeluar nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, që është i përbëre nga tre ekspertë ndërkombëtar.

“Jam takuar me ekspertët, për shkak të vullnetit të mirë për këtë çështje”, tha Limaj në intervistën dhënë për RTK3, transmeton lajmi.net.

Limaj tha se me ekspertët ndërkombëtar ka biseduar dhe i ka ftuar që ata të takohen me ekspertët vendor, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për demarkacionin me Malin e Zi.

“Kam kërkuar që të takohen me ekspertët tanë, vendor që kundërshtojnë rezultatet e Komisionit shtetëror. Kam kërkuar nga ata që të pranojnë materialet që mbështesin kundërshtimin tonë”.

“Ata sigurisht janë pajtuar me ne dhe nga ajo kemi parë se janë pajtuar me ekspertët tanë. Si duhet janë pajtuar me sugjerimet tona. Rezultatet nuk do të jenë obligative por shpresoj që do të na ndihmojnë të dalim nga kriza”.

Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme opozitare që nuk e pranon komision e ekspertëve ndërkombtar për demarkacion, pasi aty nuk ka të përfshirë edhe ekspert vendor.

Duke folur për mundësinë e dorëzimit të mandatit të deputetëve të Nismës, Limaj tha se nuk do të bëhet një gjë e tillë.

Ai tha se grupi parlamentar i Nismës kthehet në Kuvend, vetëm kur të vendoset që vendi të shkoj në zgjedhje, në të kundërtën do ta bojkotojnë organin legjislativ.

“Ne nuk e dorëzojmë mandatet. Ne kthemi në parlament vetëm nëse vendoset që të shkohet në zgjedhje”, tha Limaj.

E vetmja është Lëvizja Vetëvendosje që ka thënë se nuk do të bojkotojë në tërësi punimet e Kuvendit. Ata kanë thënë se do të kthehen herë pas here në Kuvend, varësisht nga temat që diskutohen.

Shpërndaje në rrjete sociale