Vetëvendosje shpreh keqardhje për dështimin e protestës së sotme

08:04 | 26 Mars 2016
M. A.

Tri partitë opozitare e kanë anuluar protestën e paralajmëruar për sot pasi s’janë marrë vesh deri në fund për të vazhduar me këtë formë të kundërshtimit të pushtetit. Në këtë situatë, Nënkryetari i Vetëvendosjes ka shprehur keqardhje ‘të sinqertë’ për shtyrjen e protestës.

Blloku Opozitar tashmë ka nisur të çahet pasi kanë shënuar dështimin e parë të madh përballë qytetarëve. Mobilizimi disa javor për të mbajtur një protestë në qendër të Prishtinës iu ka dështuar.

Por, kanë refuzuar të thonë se ka dështuar edhe krejt bashkimi i Opozitës.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, e ka bërë një dallim mes partisë së tij, AAK’së e NISMA’s. Ka thënë se vendosmërinë e Vetëvendosjes nuk mund ta ndryshojë askush.

“Shprehim keqardhjen e sinqertë për të gjithë qytetarët e gatshëm për protestën e nesërme, duke i siguruar ata që secili vendim, duke përfshirë atë për shtyerjen e protestës, bëhet gjithnjë në funksion të fuqizimit të kundërshtimit tonë”, ka shkruar Çaushi.

“Asgjë nuk mund ndryshojë vendosmërinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të ndalur të keqen. Ashtu siç kemi rezistuar për shtatë muaj me radhë, të përballur me dhunën e regjimit e me mbi pesë vite burg të mbajtura nga aktivistët tanë, do vazhdojmë deri në rënien e këtij pushteti antikushtetues”.

Shpërndaje në rrjete sociale