Florian Isufi, ishte i prekur nga sëmundja e tularemisë, mirëpo, tashmë gjendja e tij është më e mirë. Ai është në përfundim të terapisë dhe qëndrimit në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës.
Në Klinikën Infektive, thonë se rastet e prekura me epideminë e tularemisë janë në rënie e sipër dhe më nuk ka arsye për brengosje. Mirëpo, sipas tyre, mund të shfaqen sëmundje të natyrës tjetër, siç janë ethet hemorragjike, të njohura si sëmundja e rriqrave. Andaj, thonë se duhet të pasur kujdes në muajt e ardhshëm, kryesisht ata të vendeve rurale.
Florin Isfufi është 21 vjeçar dhe vjen nga Podujeva. Atij iu lajmërua epidemia e tularemisë në fillim të muajit janar të këtij vitit. Ai rrëfen për prekjen nga kjo sëmundje dhe trajtimin e tij në Klinikën Infektive.
“Ka nisë me mu ënjtur qafa, kam shkuar në spital në Podujevë, ata më kanë trajtuar për infeksion në mushkëri, tani pasi kam ardhur këtu, kanë thënë që është kjo sëmundja tulatemi, duhet me u shtri në spital. Është duke u shëruar shumë mirë, tash veç jam në përfundim…..Kam menduar që kam pas grip, se atëherë ka qenë një epidemi si gripi, e kam menduar, por tani pasi kam ardhur këtu më kanë treguar që nuk është sëmundje me rrezik”, thotë ai.
E për terapinë, Floriani thotë se nuk ka pas nevojë të blejë vet asgjë.
“Barnat mi kanë jep këtu, krejt barnat mi kanë jep këtu, ineksjonet këtu, krejt”, thotë ai.
Florian Isufi merret me një biznes privat. Ai këto ditë pritet të kthehet në shtëpi dhe të vazhdojë punën e tij, pasi që tani është në gjendje të mirë shëndetësore.
Në Klinikën Infektive thonë se numri i të prekurve me tularemi ka shënuar rënie të dukshme.
Aktualisht në këtë klinikë janë të shtrirë 14 pacientë, e që këto ditë pritet të lëshohen në shtëpi, pasi që gjendja shëndetësore është mjaftë e mirë. Të prekurit me tularemi ishin të moshave të ndryshme, por më së shumti ata në moshës së adoleshencës.
Që nga shfaqja e kësaj sëmundje, u prekën rreth 100 persona. Të shtrirë në Klinikën Infektive ishin rreth 40, nga të cilët tani kanë mbetur 14. Asnjë rast nuk ka përfunduar me fatalitet.
Shefi i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani, thotë se me t’u shfaqur kjo sëmundje, numri i pacientëve ishte mjaftë i madh, por sipas tij, tularemia veç e ka përfunduar punën e saj. Tani më nuk ka rrezik se do të prekë numër të madh të njerëzve.
“Kemi një rënie drastike të pacientëve që trajtohen në klinikën tonë, por megjithatë ne kemi aktualisht , trajtohen, gjegjësisht kurohen 14 pacientë. Janë të viseve, regjioneve të ndryshme. Ndërsa që nga muaji mars e deri tani kur po flasim, i kemi 40 të shtrirë, ose që kanë qenë të shtrirë, të trajtuar, pra numri i tyre është diku rreth 40, që për momentin të shtrirë janë 14 persona. Këta që janë të shtrirë aktualisht, 14, janë në gjendje shumë të mirë, stabile”, thotë ai.
Vendet në të cilat kishte më shumë persona të prekur nga kjo epidemi ishin ajo e Vushtrrisë, Podujevës, Malishevës, Klinës e Obiliqit.
Ramadani thotë se asnjë pacient nuk u kthye prapa për arsye se nuk ka pas hapësirë në klinikë apo se nuk ka mundur të shërohet.
“Në momentin kur është shfaqë epidemia e tularemisë, ju e dini, me 10 shkurt 2015, jemi ballafaquar me një nur të madh, fluks të madh të këtyre të sëmurëve, nga vende të ndryshme, regjione të ndryshme. Ka dominuar epidemi me epiqendër në Komunën e Vushtrrisë, pastaj me Obiliqin, pastaj Malishevë, Klinë e, Podujevë e të tjera. Këtu ka qenë numri më i madh i të sëmurëve që janë trajtu dhe të cilët kanë marrë terapinë adekuate. Asnjë pacientë nuk është kthyer në shtëpi, për arsye se nuk ka pasë vend ose nuk është kuruar”, thotë ai.
Isme Humolli nga Departamenti i Epidmeologjisë, thotë se trajtimi i kësaj epidemie ka qenë i lehtë, por duke ditur se Kosova është zonë endemike, priten raste të sëmundjeve tjera.
Ajo thotë se brengosëse mbetet mënyra e furnizimit me ujë dhe ruajtja e ushqimit.
“Situata e përgjithshme me tularemi është e volitshme. Rastet e sëmundjes janë ne rënie. Te gjitha rastet klinikisht i kane takuar formës limfoglandulare dhe janë trajtuar e mjekuar me sukses. Nuk ka pasur asnjë vështirësi pasi trajtimi është i lehte dhe i suksesshëm. Kosova është zone endemike dhe priten rastet e sëmundjes në vazhdimësi. Brengosëse është fakti mënyra e furnizimit me ujë s dhe ruajtja e ushqimit”, ka thënë Humolli, përmes postës elektronike.
Edhe në Klinikën Infektive thonë se në muajt e vijim, pra me rritjen e temperaturave, presin shfaqjen e ndonjë sëmundjeje të natyrës tjetër.
Shefi i klinikës, Hamdi Ramadani thotë se gjatë muajit maj, mund të shfaqet epidemia e etheve hemorragjike, e njohur si sëmundja e rriqrave.
Ai thotë të kenë filluar të ndërmarrin masa edhe në terren edhe në klinikë në mënyrë që të jenë të përgatitur për ndonjë shfaqje eventuale të kësaj sëmundje./Arbresh.info/
Faton Peci betohet sot si kryetar i Mitrovicës së Jugut
Sindikata e Re e KEK-ut proteston sot para korporatës
Policia dhe Ambasada Amerikane zhvillojnë sot ushtrim të për...
Parashikimi i motit për sot
Pse na shtohet dëshira për ushqim gjatë dimrit?
Liverpooli ka një zëvendësues të gatshëm për Salahun –...