Zgjedhjet e 7 qershorit, KQZ certifikon 902 kandidatë nga 21 subjekte politike

14:08 | 16 Maj 2026
E.K

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 902 kandidatë për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e sotme, kandidatët e certifikuar vijnë nga 21 subjekte politike, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“KQZ mori vendim për certifikimin e 902 kandidatëve për deputetë të 21 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026. Kandidatët e certifikuar përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur. Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.