“Ëndërroj Zvicrën dhe Bayernin” – portieri i talentuar me prejardhje nga Kosova flet për sezonin e jashtëzakonshëm me Wil

20:05 | 14 Maj 2026
E.H

Gentrit Muslija mund të kthehet të premten në një nga figurat kryesore të duelit FC Wil – Vaduz. Portieri 20-vjeçar, i huazuar te Wili, po kalon një sezon shumë të mirë me pritje të sigurta dhe me lojë të spikatur me këmbë, ndërsa e ardhmja e tij mbetet ende e hapur.

Muslija, i cili është në pronësi të FC St. Gallen dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2028, është i huazuar te FC Wil që nga shkurti i vitit 2025.

Te Wili u bë menjëherë titullar dhe këtë sezon e ka mbajtur portën e paprekur 12 herë. Huazimi i tij (një vit e gjysmë) përfundon në qershor.

E ardhmja ende pa vendim

Ku do të luajë sezonin e ardhshëm, Muslija thotë se ende nuk është e qartë, por gjasat janë që të mbetet te klubi aktual edhe një vit.

“Sinqerisht, ende nuk mund ta them. Ka ide që të vazhdoj edhe një sezon te Wil, e di që po zhvillohen bisedime, por ende nuk ka asgjë konkrete”, është shprehur ai.

Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vërejtur. Qendra Ndërkombëtare për Studime Sportive (CIES) e ka përfshirë në dhjetor në listën e 10 portierëve më të mirë U20 jashtë ligave “Top 5”, një vlerësim që Muslija e quan motivues.

“U ndjeva i nderuar. Është shumë mirë kur puna që bën shihet dhe shpërblehet”, deklaroi ai.

I dalluar edhe për lojën me këmbë

Një nga pikat më të forta të tij është ndërtimi i lojës me pasime. Sipas statistikave të përmendura, edhe pse është portier, ai renditet në “top 20” të ligës për numrin e pasimeve — tregues i qartë i rëndësisë së tij në qarkullimin e topit.

Ai zbulon se si fëmijë nuk kishte qenë menjëherë portier. Te klubi i tij i fëmijërisë Fortuna SG 2013, në vitin e parë luante si futbollist, por gjithçka ndryshoi pas një ndeshjeje të madhe.

“E pashë finalen e Ligës së Kampionëve Bayern – Dortmund. Manuel Neuer luajti shumë mirë dhe më impresionoi aq shumë sa, si shtatëvjeçar, e doja edhe unë atë rol. Më pëlqeu aq shumë sa nuk doja të dilja më nga porta”, ka rrëfyer Muslija.

Ëndrra: Bayern Munich dhe Zvicra

Neuer mbetet një nga idhujt e tij, ndërsa Muslija nuk e fsheh se ka synime të mëdha: “Bayern Munich do të ishte ëndrra. Bundesliga më tërheq shumë – edhe La Liga”. Në Spanjë, megjithatë, thotë se nuk ka ndonjë ekip të preferuar.

Një tjetër objektiv i madh për të është Kombëtarja A e Zvicrës, duke e anashkaluar Kosovën dhe Shqipërinë. “Mendoj se ky është synimi i çdo lojtari”, thotë Muslija kur pyetet për Kombëtaren.

Kosova dy portierët e parë aktualisht i ka të zhvilluar në Zvicër. Portieri i parë i Kosovës, Arijanet Muric dhe portieri i dytë, Amir Shaipi. Ndërkohë asnjë shqiptar ende nuk ka arritur të jetë portier i Zvicrës A, me Muslijën që po e kërkon këtë mundësi.

Madje ai tashmë ka debutuar me Zvicrën U21, ku aktualisht konkurron për vendin e parë me Silas Huber, ndërsa shton se marrëdhëniet në grup janë shumë të mira.

“Me Silas dhe me Tim Spycher shkoj shumë mirë. Ne e shtyjmë njëri-tjetrin drejt limiteve. Jemi një treshe e mirë”, nënvizoi talenti i portës.

Në fokus të premten ndaj Vaduzit

Të premten, Muslija pritet të jetë sërish në qendër të vëmendjes kur Vaduz, që synon ngjitjen, udhëton drejt Wilit.

Skuadra nga Lihtenshtajni ka nevojë pothuajse patjetër për fitore për të mbajtur gjallë shpresat për ngjitje direkte, ndërsa pritjet e Muslijës mund ta kthejnë atë në “pengesën” kryesore për mysafirët. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale