LDK reagon për sulmin në Skenderaj ndaj Hysni Mehanit

15:50 | 14 Maj 2026
E.G

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dal me reagim duke shprehur shqetësimin për situatën sot në Skenderaj.

LDK tha se se dënon “me vendosmëri dhunën e sotme politike dhe shpreh shqetësimin e thellë për klimën e rrezikshme të gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe terrorit digjital që, prej kohësh, po rëndon jetën publike dhe debatin demokratik në Republikën e Kosovës”.

“Gjuha e urrejtjes prodhon tension, cenon sigurinë publike dhe krijon ambient ku dhuna rrezikon të shihet si mjet i pranueshëm i përballjes politike. Kjo është e papranueshme për një republikë demokratike. Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se mospajtimet politike duhet të mbeten gjithmonë brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare. Republika jonë ka nevojë për debat politik, për garë të ideve dhe vizioneve, jo për linçim, frikësim apo sulme ndaj kundërshtarit politik”

LDK tha se fton të gjithë akterët politikë, institucionet përgjegjëse dhe shoqërinë në tërësi që të kontribuojnë në ruajtjen e një klime të qetë demokratike.

“Kosova ka nevojë për maturi politike, përgjegjësi shtetërore dhe sundim të ligjit. Çdo akt dhune, çdo gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për intimidim politik duhet të refuzohet qartë dhe pa ekuivok nga të gjithë”.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, e ka sulmuar fizikisht kryetarin e degës së saj në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili është edhe zëvendësministër në detyrë i Financave.

Lushtaku pohoi se e ka sulmuar dhe tha se qytetarët kanë reaguar pasi Mehani e kishte quajtur “Sami Serbia”.

Shpërndaje në rrjete sociale