Finale historike në Kupën e Kosovës: Dukagjini–Ferizaj, njëra e fiton për herë të parë

17:39 | 22 Prill 2026
E.G

Dukagjini – Ferizaj do të jetë finalja e madhe e Kupës së Kosovës për sezonin 2025/26. Të dy skuadrat kanë përvojë në finale – Dukagjini tri herë dhe Ferizaj dy herë – por asnjëra nuk e ka fituar deri tani trofeun. Këtë vit, Kupa do t’i sigurojë njërës prej tyre edhe një vend në Ligën e Konferencës.

Dukagjini ka shënuar fitore ndaj Ballkanit me rezultat 3-2 në stadiumin “18 Qershori”, në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales, duke e siguruar finalen. Klinasit kishin fituar edhe ndeshjen e parë si mysafir, bindshëm 3-0, dhe me rezultat të përgjithshëm 6-2 kaluan tutje.

Për të arritur deri në finale, Dukagjini mposhti fillimisht Ramiz Sadikun me rezultat 3-1 në 1/16, më pas eliminoi Prishtinën e Re me rezultat 1-0 në 1/8, ndërsa në çerekfinale triumfoi bindshëm ndaj Feronikelit 74 me rezultat 3-0.

Kjo është hera e katërt që Dukagjini arrin në finalen e Kupës së Kosovës dhe do të kërkojë ta fitojë trofeun për herë të parë. Dukagjini ishte në finale në sezonin 1994/95, kur u mposht nga Prishtina 1-0, ndërsa një vit më pas, në sezonin 1995/96, u mposht nga Flamurtari 2-1. Herën e fundit ishte në finale në sezonin 2020/21, kur u mposht nga Llapi me penallti 4-3, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan 1-1.

Në anën tjetër, Ferizaj siguroi finalen pasi barazoi sot me Llapin 0-0 në ndeshjen e kthimit, ndërsa kualifikimin e mori falë fitores në ndeshjen e parë në stadiumin “Zahir Pajaziti” me rezultat 2-1.

Rruga e Ferizajt drejt finales nisi me fitoren ndaj Tefik Qangës 2-0 në 1/16, më pas eliminoi Drenicën si mysafir me rezultat 1-0 në 1/8, ndërsa në çerekfinale ishte më i mirë se Vushtrria, të cilën e mposhti 2-0.

Kjo do të jetë hera e tretë që Ferizaj luan në finalen e Kupës së Kosovës. Ferizaj ishte dy vite radhazi në finale, në sezonet 2011/12 dhe 2012/13: fillimisht u mposht nga Trepça ’89 me rezultat 3-0, ndërsa më pas u mposht nga Prishtina me penallti 4-3, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën 1-1. /Telegrafi/