Kërkohet paraburgim për gruan që dyshohet ia vodhi rreth 180 mijë dollarë mërgimtarit nga Amerika

14:02 | 22 Prill 2026
Q L

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës A.K., e cila dyshohet për vjedhje të rëndë.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura këtë vepër penale e ka kryer në fund të vitit 2025 dhe në fillim të vitit 2026 në një shtëpi banimi në Pejë.

“Me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, mes datave 29 nëntor 2025 dhe 26 janar 2026, në rrugën ‘Ndue Pёrlleshi’ nё Pejё, në një shtëpi banimi, duke pasur çelësin e kasafortës të pronarit dyshohet t’i ketë vjedhur shumën e parave prej 176.900 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtëmijë e nëntëqind) dollarë amerikanë dhe 3750 ( tremijë e shtatëqind e pesëdhjetë) euro dhe me pas largohet nga shtëpia pa u vërejtur nga askush. Andaj, sipas Prokurorisë, e njëjta me këto veprime do të kryente veprën penale “Vjedhje e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themlore në Pejë.

Ndryshe, ajo ishte arrestuar më 21 prill 2026 dhe ndodhet në ndalim në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Në njoftim thuhej se ankuesi, i cili është me banim të përkohshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar se në shtëpinë e tij në ‘sef’ ka lёnё njё shumё tё hollash prej 176.900 dollarë amerikanë dhe 3750 euro, tё cilat i janë vjedhur.