Çitaku: Nuk do ta kisha besuar kurrë se në Kuvend do të kërkohej dënim i përjetshëm për çlirimtarët, nga një kinse deputet

21:54 | 21 Prill 2026
E.G

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së deputetit të VV-së, Fatos Gecit.

Çitaku ka thënë se nuk do të kishte besuar kurrë se në Kuvendin e Kosovës do të kërkohej dënim i përjetshëm për çlirimtarët, “nga një kinse deputet”.

“Kjo tregon se deri ku ka rrëshqitur gjendja në vendin tonë. Pasojat e kësaj logjike do t’i paguajmë të gjithë”, ka thënë Çitaku.

Geci ka deklaruar në seancën e sotme se ish-Presidentin Hashim Thaçi, do ta përcjellë i njëjti fat sikurse Naim Murselin, i cili sot u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.

Atij iu tërhoq menjëherë vërejtja nga Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.

“Sot dua ta përshëndes vendimin e Gjykatës për dënim me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe ju që shpresoni se një ditë lideri juaj supres do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, tha Geci.

Haxhiu u distancua nga deklarata e Gecit.

“Ai qëndrim nuk është as i Kuvendit, as i Vetëvendosjes, as i imi si Kryetare e Kuvendit”, deklaroi më pas Haxhiu.

 

Shpërndaje në rrjete sociale