Pas Italisë, Kryeministri Rama udhëton sot drejt Spanjës

14:03 | 17 Prill 2026
E.K

Kryeministri Edi Rama udhëton sot drejt Spanjës me ftesë të homologut të tij, Pedro Sanchez. Gjatë qëndrimit të tij në Barcelonë, Rama pritet të takojë edhe Presidentin e Këshillit të Evropës, Antonio Costa. Vizita e Kryeministrit është në kuadër të pjesëmarrjes së tij në edicionin e 4-ët të samitit “Në mbrojtje të demokracisë”, ku Rama do të ketë një adresim të posaçëm. Samiti fokusohet në tema që kane të bëjnë me mjedisin digjital, forcimin e institucioneve demokratike dhe luftën ndaj pabarazisë.

Një ditë më parë kreu i qeverisë shqiptare u prit në një takim nga homologia ialiane, Giorgia Meloni. Më pas ai u takua edhe me Ministrin e Mbrojtes, Guido Crosetto.

Pas takimit Meloni theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe vlerësoi progresin e arritur pesë muaj pas Samitit Ndërqeveritar të nëntorit.

“Pesë muaj pas Samitit Ndërqeveritar të nëntorit, takimi me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, bëri të mundur një vlerësim të ecurisë së forcimit të partneritetit midis vendeve tona në sektorë me interes të përbashkët, me një fokus të veçantë te lidhshmëria, mbrojtja dhe bashkëpunimi në luftën kundër emigracionit të parregullt”, u shpreh Meloni.

Kryeministrja italiane nënvizoi se bashkëpunimi dypalësh po konsolidohet në fusha kyçe si infrastruktura, siguria dhe menaxhimi i emigracionit, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Romës dhe Tiranës.

Më herët, kreu i qeverisë shqiptare reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, duke u shprehur se “asnjë qeveri italiane nuk ka bërë më shumë për Shqipërinë sesa ajo e Melonit në 35 vite”.