BQK dhe Banka e Francës avancojnë bashkëpunimin

09:43 | 16 Prill 2026
E.G

Në kuadër të Takimeve Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të mbajtura në Washington DC, guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja Joekzekutive e Bordit të BQK-së, Nora Latifi-Jashari, Zëvendësguvernatori Dardan Fusha, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, zhvilloi një takim bilateral me drejtues të Bankës së Francës për të avancuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional.

Sipas njoftimit nga BQK, gjatë këtij takimi, u nënshkrua një Marrëveshje e re ndërmjet Guvernatorit Ismaili dhe Ivan Odonnat, Drejtor i Përgjithshëm për Operacione dhe Stabilitet Financiar në Bankën e Francës (Banque de France), e cila zgjeron bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të mjeteve dhe rezervave ndërkombëtare, duke përfshirë kategori të reja të aseteve.

Me këtë rast, guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë strategjike të kësaj Marrëveshjeje për sektorin financiar të Kosovës, duke vlerësuar se ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin dhe modernizimin e kornizës për menaxhimin e rezervave, në përputhje me zhvillimet e reja globale.

“Korniza e vendosur përmes kësaj Marrëveshjeje i mundëson BQK-së hapjen e llogarive të alokuara për rezerva jo-monetare, duke garantuar pronësi të plotë dhe ndarje të qartë nga asetet e palëve të treta. Po ashtu, kjo kornizë i mundëson BQK-së përdorimin e këtyre rezervave si kolateral në operacione ndërkombëtare, duke ofruar fleksibilitet shtesë dhe mundësi për menaxhim më efikas të likuiditetit”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u diskutua gjithashtu për ngritjen e kapaciteteve të BQK-së, zhvillimin e trajnimeve të specializuara, si dhe mundësitë për përfshirje në fusha të tjera, përfshirë ngritjen e kapaciteteve në fushën ESG, pjesëmarrjen në rrjetet përkatëse, si dhe bashkëpunimin me institucione të tjera të rëndësishme të mbështetura nga Banka e Francës.

Nga ana e tij, Odonnat theksoi përkushtimin e Bankës së Francës për të mbështetur bankat qendrore në zbatimin e praktikave të qëndrueshme, transparente dhe të sigurta për menaxhimin e rezervave”, thuhet në njoftim. Marrëveshje plotëson iniciativat e tjera të BQK-së, përfshirë mandatin aktiv të investimeve dhe pjesëmarrjen në Programin e Thesarit të Grupit të Bankës Botërore (RAMP), duke forcuar më tej kapacitetet e saj për menaxhimin efektiv të aseteve reserve”, thuhet në njoftim.

Tutje thgeksohet se nëpërmjet kombinimit të efikasitetit operacional, transparencës dhe përputhshmërisë me standardet ndërkombëtare, kjo Marrëveshje shënon një avancim të rëndësishëm në menaxhimin strategjik të rezervave nga ana e BQK-së, duke kontribuar në stabilitetin financiar afatgjatë dhe qëndrueshmërinë institucionale të vendit.

Shpërndaje në rrjete sociale