Anije të lidhura me Iranin thuhet se po e shpërfillin bllokadën amerikane duke kaluar nëpër Hormuz

19:21 | 14 Prill 2026
Q L

Anije të lidhura me Iranin thuhet se kanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit të martën, në ditën e parë të plotë të një bllokade detare amerikane ndaj anijeve “që hyjnë ose dalin nga portet dhe zonat bregdetare iraniane”.

Të dhënat nga shërbimet e gjurmimit të anijeve tregojnë se të paktën katër anije, dy prej të cilave kishin ndaluar së fundmi në portet iraniane, kishin kaluar ose po kalonin në këtë rrugë ujore me gjerësi 30 kilometra, në orët pasi bllokada hyri në fuqi një ditë më parë.

Nuk ka pasur raportime që Uashingtoni ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta kundër këtyre anijeve për të zbatuar bllokadën.

Këto anije përbëjnë testin e parë të bllokadës, e cila u vendos pas dështimit të bisedimeve të paqes midis SHBA-së dhe Iranit në Islamabad më 11–12 prill.

Mediat raportuan të martën se Pakistani po përpiqet ta ndërmjetësojë një rund të ri bisedimesh më vonë gjatë kësaj jave.

Gjatë një interviste më herët, nënpresidenti amerikan, JD Vance, e përmendi mundësinë e takimeve të tjera duke thënë se ishte arritur “shumë përparim” në Islamabad.

“Topi është në fushën e Iranit”, shtoi Vance.

Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA, citoi presidentin e vendit, Masud Pezeshkian, i cili gjatë një bisede të martën me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, fajësoi sërish Uashingtonin për dështimin e bisedimeve. Megjithatë, ai tha gjithashtu se “diplomacia është rruga e preferuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, sipas IRNA-s.

Macron tha se u kishte bërë thirrje Pezeshkian dhe presidentit amerikan Donald Trump, në biseda të ndara, që të rinisnin negociatat./REL

Shpërndaje në rrjete sociale