Kurti: Ulja e TVSH-së dhe akcizës krijon boshllëk financiar, po përgatisim pakon e inflacionit 2.0

18:12 | 3 Prill 2026
Q L

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ulja e TVSH-së dhe akcizës për naftën do të krijonte boshllëk të madh financiar në buxhetin e shtetit dhe se Qeveria është duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh për të përballuar rritjen e çmimeve.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimet e naftës, Kurti ka thënë se në kohë sfiduese është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta, por sipas tij, Qeveria synon zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata. Ai theksoi se situata aktuale me rritjen e çmimeve të naftës dhe energjisë ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha në botë, ndërsa në Kosovë ende nuk ka pasur mungesë furnizimi me derivate.

“Në këtë kohë sfiduese, çmimet e naftës dhe energjisë kanë luhatje të vazhdueshme dhe është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta. Por detyra jonë nuk është të gjejmë rrugën më të lehtë, por ta zgjedhim rrugën më të drejtë, më të dobishme dhe më të qëndrueshme për vendin tonë. Situata aktuale ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha në botë. Te ne efekti më dramatik nuk ka dhënë ende shenjat e veta pasi nuk ka pasur kufizim të furnizimit dhe as humbje të derivateve”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, kërkesat e parashtruara në këtë seancë nuk janë të reja. Ai ka thënë se ulja e TVSH-së dhe akcizës së naftës duket si zgjidhje e thjeshtë, por është e kushtueshme dhe me efekt të pasigurt. Ai përmendi rastet kur është ulur TVSH-ja në produkte esenciale dhe në gastronomi, por sipas tij, çmimet nuk kanë rënë.

“Ashtu siç e kemi parë kur është bërë ulja e TVSH-së në produkte esenciale nga 18 në 8% në vitin 2016, çmimet e tyre nuk kanë rënë. E njëjta është rifshaqur kur është ulur TVSH-ja te gastronomia gjatë pandemisë, çmimet nuk janë ulur”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se TVSH-ja dhe akciza janë burime shumë të rëndësishme të buxhetit dhe ulja e tyre do të krijonte vështirësi financiare, duke shtuar se vetëm heqja e 16 centëve akcizë për litër do t’i kushtonte buxhetit rreth 10 milionë euro në muaj.

Ai bëri të ditur se Qeveria është duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh, duke theksuar se mbështetja direkte për qytetarët dhe bizneset është mënyra më efektive për të përballuar inflacionin, pasi subvencionimi i produkteve si nafta nuk garanton që përfitimi të arrijë te qytetarët.

Përmes një rezolute në seancën e sotme, LDK-ja ka kërkuar uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë – bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.

Shpërndaje në rrjete sociale