Shiten të gjitha biletat për ndeshjen Sllovaki – Kosovë

16:29 | 16 Mars 2026
D.H

Federata e Futbollit të Sllovakisë ka njoftuar se tashmë janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen ndaj Kosovës, e cila do të zhvillohet më 26 mars në Stadiumi Nacional, në Bratislavë.

Kjo sfidë është e vlefshme për gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës, shkruan Arbresh.info.

Fituesi i këtij takimi do të përballet në finalen e play-offit me fituesen e përballje Turqi-Rumania më 31 mars.

Drejtori i federatës sllovake, Lukash Donoval, është shprehur i kënaqur me interesimin e madh për këtë ndeshje, duke theksuar se përkrahja e tifozëve është një motivim i madh për ekipin e tyre.

“Jemi shumë të lumtur të njoftojmë se të gjitha biletat janë shitur. Kjo tregon qartë se ekipi nacional i Sllovakisë gëzon mbështetje të madhe dhe se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për tifozët tanë. Jemi të bindur se ata do të krijojnë një atmosferë fantastike në stadium”, ka thënë ai.

Sipas Donovalit, një stadium i mbushur mund t’u japë lojtarëve energjinë e nevojshme për të dhënë maksimumin në një sfidë të rëndësishme si kjo.

“Stadiumi i mbushur mund t’u jap lojtarëve energjinë e duhur për të performuar në nivelin më të lartë dhe për të kaluar pengesat e vështira. Dua t’i falënderoj tifozët për interesimin e madh dhe përkrahjen. Së bashku jemi më të fortë”, ka shtuar drejtori i federatës sllovake.

Stadiumi në Bratislavë ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulëseve.

Kjo arenë pritet t’i mirëpresë edhe shumë tifoz dardan të cilët pritet të jenë në numër të madh në Bratisllavë për ndeshjen më të rëndësishme në historinë e Kosovës deri më tani./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale