Leverkusen-Bayern, s’ka fitues në derbin gjerman

19:32 | 14 Mars 2026
Q L

Bayern Munich ka lëshuar pikë të rëndësishme në garën për titull në Bundesliga, pasi barazoi 1-1 në udhëtim ndaj Bayer Leverkusen në “BayArena”, në një ndeshje ku bavarezët e përfunduan ndeshjen me nëntë lojtarë.

Pas fitores bindëse 6-1 ndaj Atalanta në Ligën e Kampionëve gjatë javës, Bayern u përball me një Leverkusen që kërkonte reagim pas barazimit dramatik 1-1 me Arsenal.

Vendasit kaluan shpejt në epërsi. Në minutën e gjashtë, një kundërsulm i nisur nga Montrell Culbreath dhe i zhvilluar nga Patrik Schick përfundoi te Aleix García, gjuajtja e të cilit u devijua nga Jonathan Tah dhe përfundoi në rrjetë, duke befasuar portierin Sven Ulreich.

Bayern u përpoq të reagojë, por situata u vështirësua kur Nicolas Jackson u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje ndaj Martin Terrier.

Në pjesën e dytë, mysafirët vazhduan të kërkonin golin e barazimit. Luis Diaz humbi një rast të mirë, ndërsa edhe një gol i Harry Kane u anulua për prekje të topit me dorë në aksionin paraprak.

Megjithatë, në minutën e 69-të, Bayern arriti të barazojë. Një gabim në mbrojtjen e vendasve nga Robert Andrich u shfrytëzua nga Michael Olise, i cili asistoi për Díaz që realizoi për 1-1.

Në fund të ndeshjes, Diaz mori kartonin e dytë të verdhë për simulim, duke lënë Bayernin me nëntë lojtarë në fushë. Leverkusen u afrua pranë fitores me raste të Ibrahim Maza dhe Malik Tillman, ndërsa një gol i Jonas Hofmann në minutat shtesë u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.

Në fund, Bayern arriti të mbajë barazimin dhe të zgjasë serinë e ndeshjeve pa humbje në udhëtim në Bundesliga në 22 takime.

Ndërkohë, Leverkusen humbi një mundësi të mirë për t’u afruar me zonën e Ligës së Kampionëve, duke mbetur dy pikë larg katërshes së parë.

Shpërndaje në rrjete sociale