Rodri dënohet me 80 mijë funte pas kritikave ndaj gjyqtarit

17:06 | 9 Mars 2026
D.H

Mesfushori i Manchester City, Rodri, është dënuar me 80 mijë funte nga The Football Association (FA) për komentet e tij pas ndeshjes së muajit të kaluar kundër Tottenham Hotspur, e cila përfundoi me rezultat 2-2.

Futbollisti spanjoll kishte kritikuar gjyqtarin Robert Jones pas ndeshjes, duke vënë në dyshim neutralitetin e arbitrave.

Ai besonte se goli i parë i Tottenhamit duhej të ishte anuluar për një faull ndaj mbrojtësit Marc Guéhi.

“E di që kemi fituar shumë dhe njerëzit nuk duan që ne të fitojmë, por gjyqtari duhet të jetë neutral dhe për mua, sinqerisht, kjo nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë sepse ne punojmë shumë në këto situata dhe më pas merren vendime të tilla. Duhet të vazhdojmë përpara, por në fund jemi të frustruar sepse faulli ishte shumë i qartë”, kishte deklaruar Rodri.

Pas këtyre komenteve, FA nisi procedurë disiplinore ndaj mesfushorit të Cityt. Në komunikatën zyrtare thuhet se Rodri ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme gjatë intervistës pas ndeshjes, duke bërë komente që nënkuptojnë paragjykim ose vënë në dyshim integritetin e gjyqtarëve, në kundërshtim me rregulloren E3.1 të FA-së.

Vetë Rodri e pranoi akuzën ndaj tij dhe, pas seancës disiplinore, Komisioni Rregullator vendosi ta dënojë me 80 mijë funte gjobë, duke i dhënë gjithashtu një paralajmërim për sjelljen e tij në të ardhmen./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale