Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtore dhe e ka dënuar me 20 vjet burgim Nazmije Millakun, e akuzuar për vrasjen e kunatit të saj, Xh.M.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga trupi gjykues i kryesuar nga kryetari Gazmend Bahtiri dhe anëtarët Naser Foniqi dhe Sulltane Hoti.
Gjykatësi Bahtiri tha se e akuzuara Millaku është fajtore për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe dënohet me 20 vjet burgim. Në dënimin me burgim, të akuzuarës i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, i vazhdohet me aktvendim të veçantë.
E akuzuara obligohet të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale- 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Ndërkaq, u lirua nga akuza për “Armëmbajtje pa leje”, pasi nuk u provua se e ka kryer këtë vepër penale. U urdhërua të bëhet konfisikimi i armës e më pas shkatërrimi i saj.
Gjykata njoftoi se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese pasi ta pranojnë vendimin në formë të shkruar.
Për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, e dëmtuara Suzana Millaku, u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.
Ndryshe, prezente në shpallje ishte vetëm e dëmtuara, kurse mungoi e akuzuara me avokaten e saj, Mirvete Hashani.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nazmije Millaku akuzohej se më 20 gusht 2024, në korridorin e përbashkët të shtëpive të tyre, në Prishtinë, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta xhelozie, me dashje ka privuar nga jeta kunatin e saj Xh.M., ku e pandehura ishte ndier e parespektuar dhe e braktisur nga familjarët, duke menduar se tani i ndjeri kishte ndikim.
Aktakuza thotë se e akuzuara fillimisht ishte përgatitur për të kryer këtë vepër penale duke përfunduar kursin mbi aftësimin për përdorimin e armëve të shkurtra e më pas ishte certifikuar dhe kishte blerë armë zjarri dhe municion. Aty thuhet se ajo shfrytëzon rastin derisa anëtarët e tjerë të familjes nuk ishin prezent në momentin që e kishte parë tani të ndjerin Xh.M., duke kaluar në korridorin e shtëpisë për të shkuar në oborrin e përbashkët, del në korridor dhe në mënyrë dinake me armën e lartcektur shtie në drejtim të tij disa herë, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit, e si pasojë e plagëve viktima ndërron jetë.
Autopsia ka konstatuar se vdekja e Xh.M., ka qenë e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e destruksionit të trurit dhe gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme. U konstatuan 18 plagë të shkaktuara nga 11 të shtëna.
Me këto veprime, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal.
Millaku akuzohej edhe se nga 21 dhjetorit 2023 deri më 20 gusht 2024, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët posedoi një armë zjarri, tre karikatorë e 39 fishekë, e që ndonëse e kishte përfunduar kursin për përdorimin e armës, ende nuk ishte pajisur me leje për mbajtjen e armës. Arma iu gjet gjatë kontrolli në çantën e saj kur kishte shkuar në stacion policor, e disa prej municionit i ishte gjetur në dhomën e saj.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal. /Betimi për Drejtësi
Nis gjykimi ndaj ish-kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem İma...
Sulmi i Iranit ndaj Turqisë-Rama: Shqipëria e dënon me forcë...
Liverpool merr një ‘goditje’ para ndeshjes me Ga...
Kushtetuesja vendos masë të përkohshme ndaj dekretit të Osma...
Tre persona dënohen me burgim efektiv për vjedhje të rëndë
Tebas kundërshton Xavin për rikthimin e Messit te Barcelona:...