DnV thirrje presidentes dhe partive për emërimin e përbërjes së re të KQZ-së

17:32 | 7 Mars 2026
Q L

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani dhe partive parlamentare që pa vonesa ta përmbyllin procedurën e emërimit të përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në një reagim për media, DnV-ja ka thënë se mundësia e zgjedhjeve të reja dhe afrimi i përfundimit të mandatit të përbërjes aktuale e bëjnë më të rëndësishëm emërimin e përbërjes së re.

“Për këtë arsye, DnV i bën thirrje Presidentes së vendit dhe subjekteve parlamentare që të ndërmarrin dhe përmbyllin pa vonesë hapat e nevojshëm për e nominimit dhe emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së. Çdo proces i mundshëm zgjedhor duhet ta gjejë Kosovën me institucione zgjedhore të konsoliduara, funksionale dhe me mandat të qartë ligjor, në mënyrë që administrimi i zgjedhjeve të mos shoqërohet me dilema për legjitimitetin e tij”, thuhet në komunikatë.

Neni 60 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme thekson se presidenti jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend u kërkon grupeve parlamentare që të propozojnë kandidatët për anëtarë të KQZ-së e që partitë duhet që t’i dorëzojnë propozimet brenda shtatë ditësh. Emërimi duhet të bëhet nga presidenti brenda pesë ditësh nga dërgimi i propozimeve.

Aty bëhet e qartë që mandati i anëtarëve të KQZ-së lidhet me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend. Fillimi i një mandati nënkupton përfundimin e mandatit paraprak.

DnV ka theksuar se afati ligjor për këtë procedurë është 11 marsi, pasi certifikimi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 ishte bërë më 10 shkurt 2026.

Kosova është rrugës për zgjedhje të reja, pasi më 6 mars presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin me dekret, pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri. Dekreti i saj është paralajmëruar se do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Shpërndaje në rrjete sociale