Policia e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara në disa media dhe qarqe serbe për një incident të armatosur në brezin kufitar me Serbinë, duke i cilësuar ato si dezinformata të pabazuara dhe pa asnjë konfirmim zyrtar.
Në një sqarim për media, Policia e Kosovës bën të ditur se ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe verifikimet e nevojshme institucionale lidhur me pretendimet se disa persona të maskuar shqiptarë kanë vendosur pengesa në rrugë dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të policisë serbe në zonën e quajtur Madljika, në Zonën Tokësore të Sigurisë në Serbinë jugore.
Sipas PK-së, nga të gjitha burimet e mundshme në dispozicion nuk ka rezultuar asnjë dëshmi apo e dhënë zyrtare që konfirmon se një incident i tillë ka ndodhur në brezin kufitar përkatës, shkruan Arbresh.info.
“Nuk ka dëshmi apo të dhëna zyrtare për ndonjë rast të tillë të evidentuar apo të ndodhur në brezin kufitar të asaj zone”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
PK e ndërlidh këtë raportim me një rast të publikuar më 7 shkurt 2026, ku ishte pretenduar se më 5 shkurt, rreth orës 16:00, ishin shkrepur mbi 100 plumba nga armë automatike në drejtim të Policisë së Serbisë në fshatin Parada të Kurshumlisë dhe se personat e dyshuar ishin larguar në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës. Sipas Policisë së Kosovës, ngjashmëria e raportimeve dhe përmendja e së njëjtës zonë kufitare, përkatësisht fshatit Reqicë në territorin e Kosovës, shton dyshimet për një orkestrim të qëllimshëm të prodhimit të dezinformatave.
Policia njofton se për të gjitha veprimet dhe verifikimet është informuar edhe KFOR, me të cilin bashkëpunon ngushtë dhe realizon patrullime të përbashkëta në brezin kufitar.
Në fund të reagimit, Policia e Kosovës rithekson përkushtimin për ruajtjen e rendit kushtetues dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, duke bërë thirrje që mediat dhe opinioni publik t’u referohen vetëm informacioneve zyrtare për të shmangur përhapjen e lajmeve të rreme./Arbresh.info/
Prishtinë: Dogana zbulon mbi 500 mijë euro mallra të dyshuar...
30 ditë paraburgim për dy serbët e dyshuar për rastin e parc...
Ndalohet importi i mbi 1 mijë litrave vaj ulliri, AUV: Produ...
Prattipati e takon Kusari-Lilën, inkurajon përpjekjet e vazh...
Inspektorët e Pejës në aksion, cak shitësit ambulantë
Po trajtohej në QKUK, arratiset një i burgosur i Dubravës