Atletico Madridi e poshtëron Barcelonën në Kupën e Mbretit

23:07 | 12 Shkurt 2026
R J

Atletico Madrid ka triumfuar bindshëm ndaj Barcelonës me rezultat 4-0, në një përballje dramatike që dhuroi gola, VAR dhe karton të kuq në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.

Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për katalanasit. Që në minutën e gjashtë, Eric Garcia devijoi topin në rrjetën e portës së tij, duke i dhënë epërsinë vendasve.

Atletico vazhdoi presionin dhe në minutën e 14-të dyfishoi rezultatin. Antoine Griezmann reagoi shpejt brenda zonës dhe dërgoi topin në këndin e majtë të portës për 2-0.

Barcelona tentoi të reagojë, me Fermin që goditi traversën në minutën e 20-të, por vendasit ishin më konkretë. Në minutën e 33-të, Ademola Lookman shfrytëzoi asistimin e Julian Alvarez dhe realizoi për 3-0.

Në kohën shtesë të pjesës së parë, Alvarez vulosi një 45-minutësh dominues për Atleticon, duke shënuar për 4-0 pas një goditjeje të saktë nga distanca.

Barcelona u përpoq të rikthehej në pjesën e dytë dhe në minutën e 52-të ngushtoi rezultatin.

Pau Cubarsi reagoi më së miri pas një topi të kthyer në zonë dhe realizoi për 4-1. Fillimisht pati dyshime për pozicion jashtë loje dhe këtë e konfirmoi VAR-i duke anuluar golin.

Megjithatë, çdo shpresë për ndonjë gol të blaugranasve u shua në minutën e 86-të.

Fillimisht Eric Garcia u ndëshkua me karton të verdhë për një ndërhyrje të ashpër, por pas rishikimit me VAR, gjyqtari Juan Martinez e përjashtoi drejtpërdrejt me karton të kuq.

Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave në “Camp Nou” do të luhet më datë 3 mars./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale