Cilat janë dyshimet ndaj tre kryesuesve të QKN nga grupi i parë për të cilët u kërkua paraburgimi?

15:35 | 24 Janar 2026
E.K

Në Gjykatën Themelore në Prizren është duke u zhvilluar seanca për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tre personave të dyshuar lidhur me rezultatet zgjedhore për kandidatët për deputet në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.

Burime të “Betimi për Drejtësi” kanë bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prizren, në seancën e parë të grupit prej 30 personash nga gjithsej 109 të ndaluar, ka kërkuar paraburgim vetëm për tre prej tyre, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kërkesa është parashtruar ndaj kryesuesit me inicialet A.K. nga Lëvizja Vetëvendosje, O.Sh. nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe V.B. nga subjekti politik BD/AKK.

Sipas informacioneve të , A.K., në cilësinë e anëtarit të ekipit të numërimit në disa vendvotime, dyshohet se ka shtuar, hequr apo fshirë vota apo nënshkrime, duke regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve.

Si rrjedhojë, A.K. dyshohet se ka falsifikuar rezultatet zgjedhore në gjithsej 378 vota.

Ndërkaq, O.Sh. nga AAK dyshohet se, në cilësinë e kryesueses së komisionit, ka falsifikuar votat dhe rezultatet zgjedhore.

“Duke regjistruar në mënyrë të pasaktë votat apo rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, në cilësinë e kryesueses së komisionit në vendvotimin 2041/02, ka hequr 69 vota dhe ka shtuar 25 vota, në diferencë prej 94 votash; ndërsa në vendvotimin 2049/02 ka hequr 21 vota dhe ka shtuar 45 vota, në diferencë prej 66 votash…”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e prokurorisë.

Po ashtu, i dyshuari V.B. nga subjekti politik BD/AKK dyshohet se, në cilësinë e kryesuesit të komisionit, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë votat apo rezultatet zgjedhore në dokumentet përkatëse.

“…në vendvotimin 2012/02 ka hequr 242 vota dhe ka shtuar 204 vota, në diferencë prej 466 votash; ndërsa në vendvotimin 2017/01 ka hequr 529 vota dhe ka shtuar 260 vota, në diferencë prej 789 votash…”, thuhet në shpjegimet e prokurorisë.

Në anën tjetër, prokuroria pritet t’i drejtohet gjykatës edhe me kërkesën për caktimin e masës së ndalimit edhe për 20 kryesues të tjerë, në tri seanca të ndara.