Kuvendi Komunal i Prishtinës po mban seancë të jashtëzakonshme, e thirrur me qëllim të shqyrtimit të propozim-vendimit për miratimin paraprak të listës së veçantë të pronave të paluajtshme komunale, të cilat planifikohet të jepen në shfrytëzim gjatë vitit 2026.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, njoftoi se në seancë ishin të pranishëm 44 anëtarë, çka siguron kuorumin e nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes. Ai po ashtu informoi se, në përputhje me dispozitat ligjore, një asamblist i PDK-së ka dhënë dorëheqje, ndërsa mandati i ka kaluar Arbnora Ajetit.
Drejtori përkatës, Brahim Mehmetaj, tha se lista e pronave është hartuar duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, me qëllim që pronat komunale të mos mbesin të pashfrytëzuara dhe të kontribuojnë në rritjen e të hyrave për Kryeqytetin.
Nga radhët e LDK-së, Jeta Rafuna theksoi se pronat komunale duhet të jenë në shërbim të interesit publik, ndërsa Leotrim Ratkoceri (PDK) deklaroi se lista duhet të përmbajë të gjitha dokumentet e kërkuara me ligj dhe të jetë e bazuar në interesin publik, duke shprehur besimin se një proces i tillë do të jetë në dobi të Kryeqytetit.
Kritika më të ashpra erdhën nga Nora Kelmendi (LVV), e cila tha se lista e pronave duhet të përmbajë të dhëna të sakta kadastrale dhe se dokumentacioni i dërguar nuk është në përputhje me kornizat ligjore. Ajo theksoi se LVV nuk mund të votojë “symbyllur”, duke kërkuar transparencë dhe ligjshmëri të plotë në proces.
Mbështetje për listën shprehu Betim Abdullahu nga Lidhja për Prishtinën, ndërsa Besa Shahini (PSD) ngriti shqetësime serioze, duke deklaruar se Prishtina ka problem me menaxhimin e pronës publike dhe se dokumentacioni i dërguar nuk përmban arsyetimin publik, ashtu siç kërkohet me rregullore.
Kundër kësaj liste u shpreh edhe një asamblist nga GUXO, duke theksuar se në këtë formë nuk mund të mbështetet propozimi./Arbresh.info
IKSHPK jep këshilla për mbrojtje nga gripi sezonal
Arrestohet një 42-vjeçar në Prishtinë për vjedhje të rëndë
Basha: Në Ditën e Veteranëve kujtojmë sakrificën e familjes ...
Postimi prekës i burrit që humbi gruan në aksident, vetëm nj...
Ambasada amerikane: Mezi presim të punojmë me qeverinë e ard...
Ambasada gjermane: Shpresojmë që institucionet e reja do të ...