BBC zotohet të mbrohet nga padia e Trumpit

16:07 | 16 Dhjetor 2025
E.G

Mediumi britanik BBC është zotuar se do të mbrohet nga padia prej 10 miliardë dollarësh të ngritur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kundër tij, për një modifikim të fjalimit të presidentit, të 6 janarit 2021 në një dokumentar të Panorama.

Trumpi ka akuzuar transmetuesin për shpifje dhe për shkelje të një ligji për praktikat tregtare, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura në Florida.

BBC-ja i ka kërkuar falje Trumpit muajin e kaluar, por ka hedhur poshtë kërkesat e tij për kompensim dhe nuk është pajtuar se ka “bazë për një pretendim për shpifje”.

Ekipi ligjor i Trumpit ka akuzuar BBC-në se kishte shpifur ndaj presidentit, duke ndryshuar qëllimisht dhe me qëllim të keq fjalimin e tij.

Një zëdhënës i BBC-së, ka deklaruar se ashtu siç e kishin bërë të qartë më parë, do ta mbronin këtë çështje.

“Nuk do të bëjmë komente të mëtejshme mbi procedurat ligjore në vazhdim”, ka deklaruar ai.

Trumpi ka thënë muajin e kaluar se planifikonte të padiste BBC-në për dokumentarin, i cili u transmetua në Mbretërinë e Bashkuar përpara zgjedhjeve të vitit 2024 në SHBA.

Në fjalimin e tij më 6 janar 2021, përpara një trazire në Kapitolin e SHBA-së, Trumpi i ka thënë një turme: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të brohorasim për senatorët, kongresmenët dhe kongresmenet tona të guximshme”.

Më shumë se 50 minuta më vonë në fjalim, ai kishte thënë: “Dhe ne luftojmë. Ne luftojmë si ferr”.

Në programin Panorama, një klip e shfaqte atë duke thënë: “Do të ecim deri në Kapitol… dhe unë do të jem atje me ju. Dhe ne luftojmë. Ne luftojmë si ferri”.

BBC-ja e ka pranuar se redaktimi kishte dhënë “përshtypjen e gabuar” se ai kishte “bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme”, por nuk u pajtua se kishte bazë për një pretendim për shpifje.

Shpërndaje në rrjete sociale