Mbahet sot në Romë samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri, Rama: Ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare

08:53 | 13 Nëntor 2025
E.K

Mbahet sot në Romë samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri, qëllimi i të cilit është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh.

Samiti do të nisë punimet mëngjesin e kësaj të enjte (13 nëntor) me një takim dypalësh midis Kryeministrit Giorgia Meloni dhe Kryeministrit Edi Rama, i ndjekur nga një seancë pune plenare me delegacionet përkatëse qeveritare.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi mbledhjen e parë të përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, si një ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë.

Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije se kjo mbledhje do u hapë rrugë 16 marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit.

“MIRËMËNGJES dhe me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.