Detaje të reja nga vrasja mafioze pranë aeroportit të Rinasit – I plagosuri mori 10 plumba, dy në kokë

10:56 | 12 Nëntor 2025
E.K

I plagosuri nga atentati i ndodhur një ditë më parë në rrethrrotullimin e Rinasit, M.Sh., vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ndodhet në intubim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Sipas RTSH, ai është qëlluar me 10 plumba, dy prej të cilëve e kanë prekur në kokë.

Nga hetimet paraprake, policia dyshon se lëvizjet e Gilmando Danit, i cili mbeti i vrarë gjatë atentatit, janë ndjekur që në momentin kur ai ka zbritur në aeroportin e Rinasit, pasi u kthye nga Barcelona. Dyshohet se autorët janë njoftuar menjëherë pas kësaj dhe e kanë pritur në zonën e rrethrrotullimit për ta ekzekutuar.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të aeroportit dhe bizneseve përreth, të cilat po analizohen me detaje për të identifikuar autorët dhe bashkëpunëtorët e mundshëm. Gjithashtu, po hetohen edhe persona që kanë qëndruar në zonë dhe janë larguar menjëherë pas atentatit me automjetin tip “Mercedes-Benz S-Class” ngjyrë të bardhë, me të cilin udhëtonin Gilmando Dani dhe M.Sh.

(Makina e djegur e autorëve)

Ndërkohë, targat e mjetit tip “Toyota” që u gjet i djegur në fshatin Halil të Fushë Krujës, të përdorur nga autorët, rezultojnë të jenë vjedhur në Greqi një vit më parë. Grupi hetimor ende nuk ka përcaktuar nëse makina është e vjedhur apo jo, pasi numri i shasisë nuk është rikuperuar për shkak të dëmtimit nga zjarri.

Sipas burimeve, autorët kanë qenë katër persona, tre qitës dhe një shofer, të cilët janë larguar nga zona e Niklës drejt Rinasit dhe më pas janë kthyer sërish në të njëjtin drejtim. Gjatë ngjarjes janë përdorur katër armë, ndërsa njëri prej autorëve, pasi ka qëlluar fillimisht me kallashnikov, ka dalë dhe ka qëlluar nga afër me pistoletë ndaj Gilmando Danit.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës kanë zhvilluar një operacion të gjerë gjatë natës në zonën e Fushë-Krujës, ku pesë grupe të FNSH-së kryen kontrolle në lokale, banesa dhe automjete nga ora 23:00 deri në 03:00 të mëngjesit. Burimet bëjnë me dije se janë shoqëruar disa persona.

Gjithashtu i plagosuri M.SH, ishte i punësuar prej pak kohës te AMP, por burime për gazetaren e RTSH24 thonë se nuk rezulton që ai të ketë pasur certifikatë sigurie, ndaj ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën e punësimit të tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gilmando Dani ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe njihej si mik i Emiljano Shulalzirt. Ndaj tij më herët ishin kryer edhe dy atentate të tjera në 2011 dhe 2015, por që u kishte shpëtuar.