Xabi Alonso akoma në kërkim të zgjidhjes për krahun e djathtë të Real Madridit

16:58 | 5 Nëntor 2025
D.H

Xabi Alonso ende po përpiqet të gjejë zgjidhjen për krahun e djathtë të Real Madridit. Në të majtën gjithçka është më e qartë, me Carreras, Vinicius dhe madje edhe Mbappén, por në anën tjetër mbizotërojnë dyshimet.

Camavinga kishte funksionuar mirë në “El Clásico” në atë pozicion. Gjatë atij takimi, Xabi ndryshoi planin dhe e vendosi francezin në të djathtë për t’i dhënë Bellinghamit më shumë hapësirë në qendër dhe ndryshimi dha rezultat. Aq shumë, saqë mbrëmë në “Anfield” ai e përsëriti idenë, por ish-lojtari i Rennes nuk arriti të shfaqej mirë dhe plani i trajnerit dështoi në tërësim shkruan Marca, përcjell Arbresh.info.

Këtë herë, Camavinga nuk e gjeti vendin e tij në fushë. Ishte i pasaktë dhe nuk i dha thellësi skuadrës në sulm. Xabi e bëri atë lojtarin e parë të zëvendësuar në minutën e 69-të.

Në vend të tij hyri Rodrygo një tjetër alternativë për atë krah por as ai nuk ndryshoi asgjë. Braziliani dukej se do të ishte një zëvendësim serioz për Viniciusin, por forma e tij është zbehur, dhe kundër Liverpoolit u pa sërish larg nivelit të tij më të mirë.

Lëndimet gjithashtu nuk e kanë ndihmuar Xabin të forcojë krahun e djathtë. Në fillim, Trent luajti në Kupën e Botës për klube, por më pas Carvajal i mori vendin. Më vonë erdhi dëmtimi i anglezit, dhe së fundmi një tjetër dëmtim i Carvajal, që do ta mbajë jashtë për rreth tre muaj. Në këto kushte, Valverde po luan si mbrojtës i djathtë, edhe pse nuk është pozicioni i tij natyral, ndërsa ish-lojtari i Liverpoolit megjithëse u rikthye në Anfield, duket ende larg formës së duhur.

Mastantuono, basti i parë; Endrick, më i fundit
Më përpara në fushë, Xabi befasoi në fillim të sezonit me Mastantuonon. Në pak kohë, ai fitoi vendin në të djathtë me Valverden që e mbështeste prapa.

Trajneri nga Tolosa e vlerësonte për punën mbrojtëse dhe për përpjekjet e tij në sulm, edhe kur nuk i dilnin gjithmonë.

Megjithatë, në “Clásico” ishte rezervë dhe u rikthye në formacion kundër Valencias shenjë që mund të kthehej sërish në stol për ndeshjen e Anfieldit. Një dëmtim në pubis e pengoi të udhëtonte me skuadrën.

Në atë krah të djathtë janë parë herë pas here edhe Brahim apo vetë Endrick, që debutoi këtë sezon me Xabin kundër Valencias.

Dy eksperimente të tjera, megjithatë tani pritet të mësohet sa do të mungojë ish-lojtari i Riverit për shkak të dëmtimit.

Ka shumë gjasa që Xabi të provojë njërin prej këtyre dy lojtarëve për të gjetur zgjidhjen në atë anë, pa e përjashtuar edhe mundësinë e rikthimit të Camavingas.

Takimin tjetër Reali e luan ndaj Rayo Vallecanos të dielën me fillim nga ora 16:15 në La Liga./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme