Sot bëhen pesë vite nga arrestimi i Jakup Krasniqit nga Gjykata Speciale.
Djali i tij, Altin Krasniqi, deputet në Kuvendin e Kosovës, ka kujtuar këtë përvjetor duke folur për dhimbjen dhe krenarinë që ka shoqëruar këto vite.
“1,826 ditë pritje. 1,826 ditë dhimbje e krenari. Sot bëhen pesë vite që ne presim drejtësi, ndërsa babi, edhe sot, në pleqëri, po sakrifikon si atëherë, me dinjitet e forcë”, shkroi ai.
Ai ka theksuar rolin e babait dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri.
“Lufta e UÇK-së nuk lindi nga dëshira për luftë, por nga domosdoshmëria për liri. Shqiptarët e Kosovës me vite kërkuan drejtësinë e mohuar, herë me protesta e herë me parulla, por sa herë që kërkonin barazi, ata shtypeshin edhe më shumë. Për vite të tëra, shqiptarët e Kosovës u vranë, u masakruan, u dëbuan, u burgosën e u zhdukën nga policia dhe ushtria serbe, ndërsa bota perëndimore kishte lënë në harresë të drejtën e tyre për të jetuar me dinjitet. Prandaj ata kërkuan me armë atë që me vite iu ishte mohuar me fjalë. Dhe e fituan lirinë me shumë gjak të derdhur dhe me shumë sakrifica, ajo nuk u dhurua”, shkroi tutje ai.
Krasniqi nënvizon se sot, në Gjykatën Speciale, nuk po gjykohen vetëm individët, por edhe lufta për liri e një populli.
“Ndërsa sot, në korridoret e ftohta e të errëta të drejtësisë evropiane, po gjykohet e drejta për liri. Atje nuk po gjykohen individët, por lufta e drejtë dhe çlirimtare e një populli që pranoi se më mirë ishte të jetonte një sekond në liri sesa një jetë në robëri, sepse e dinin se popujt që i nënshtroheshin robërisë zhdukeshin. Prandaj, a është kjo drejtësi me standarde evropiane? A është drejtësi kur mbahesh për 5 vite në paraburgim? A është drejtësi t’i barazosh viktimën me agresorin? Jo! Kjo nuk është drejtësi. Është vazhdim i padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve. Në këto 5 vite ne nuk u dorëzuam, sepse, siç kishte thënë edhe babi: “Njeriu është më i fortë se guri, atë që s’e duron guri, e duron njeriu.” Por babi, tashmë në moshë të shtyrë, ka mbajtur mjaft barrën e padrejtësisë. Ndërsa ne presim, koha kalon dhe drejtësia e vonuar bëhet padrejtësi e qëllimshme”, shkroi Krasniqi./Arbresh.info
Aksident i rëndë në Tiranë, vdes 38-vjeçari
Edi: Dolce në Itali e ka Grande Fratello, këtu e ka Grande A...
Rubio kritikon BE-në për gjobën ndaj platformës X
FFK-ja reagon pas shortit të Botërorit
Kurti: Kosova histori suksesi në Indeksin Global mbi Krimin ...
Rritet numri i aplikuesve nga diaspora për votim në zgjedhj...