Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të martën kërcënoi me ndëshkime tregtare, përfshirë taksat, kundër Spanjës, duke thënë se ai nuk është i kënaqur me refuzimin e këtij shteti që t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit vendës bruto, duke e cilësuar këtë veprim si mungesë respekti ndaj NATO-s.
“Jam shumë i pakënaqur me Spanjën. Është shteti i vetëm që nuk e rriti përqindjen në 5 për qind… prandaj nuk jam i kënaqur me Spanjën” – tha presidenti amerikan para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Po mendoja që t’u jepja ndëshkim tregtar përmes taksave për shkak të asaj që e bënë dhe mendoj se mund ta bëjë këtë” – paralajmëroi Trumpi.
I pari i ShBA-së vazhdimisht i ka shtyrë vendet e NATO-s që të shpenzojnë më shumë në mbrojtje dhe ka hedhur dyshime mbi gatishmërinë e Uashingtonit për t’u dalë në ndihmë aleatëve që nuk shpenzojnë mjaftueshëm.
Javën e kaluar, në një takim me presidentin e Finlandës, Trumpi tha se NATO-ja duhet ta shqyrtojë përjashtimin e Spanjës për shkak të refuzimit të saj që të zotohej për rritjen e shpenzimeve.
Duke e përmendur si arsye rrezikun e paraqitur nga Rusia që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës më 2022, vendet e NATO-s kanë argumentuar se zotimi i tyre i mëhershëm për 2 për qind të GDP-së në mbrojtje nuk mjafton më.
Spanja është anëtarja e vetme e aleancës me 32 vende anëtare që nuk është zotuar për t’i çuar shpenzimet ushtarake në 5 për qind të GDP-së.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, kishte siguruar në minutën e fundit një përjashtim për vendin e tij, duke thënë se Spanja do të shpenzonte vetëm deri në 2,1 për qind të GDP-së në mbrojtje, duke e quajtur këtë nivel “të mjaftueshëm dhe realist”.
Spanja, anëtare e NATO-s që nga viti 1982, ka argumentuar se i kompenson shpenzimet e vogla me kontributin e fuqishëm me ushtarë në misionet e NATO-s, përfshirë dislokimet në Letoni, Sllovaki, Rumani, Bullgari dhe Turqi.
Këto janë dhjetë projektligjet që u miratuan sot në Kuvend
Një i vdekur dhe dy të lënduar pas një aksidenti në Livoç të...
Haxhiu: Eliot Engel, përkrahës i palëkundur i lirisë dhe sht...
Ambasada e Kosovës në SHBA për vdekjen e Eliot Engel: Trashë...
Vdekja e Engel, Abdixhiku: Humbëm një mik të madh, por mbësh...
Vjosa Osmani: Eliot Engel ishte zëri i Kosovës në Kongresin ...