Në Prishtinë u mbajt takimi i 13-të i Grupit të Veçantë BE–Kosovë për Reformën e Administratës Publike (RAP), bashkëkryesuar nga Bardhyl Dobra, zëvendësministër në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, dhe Julien Crampes, Zëvendësshef në Komisionin Evropian, Njësia për Kosovën dhe Serbinë.
Takimi, në të cilin morën pjesë përfaqësues të KE-së dhe Kosovës, u përqendrua në planet dhe progresin e bërë nga autoritetet kosovare drejt sigurimit të një shërbimi civil profesional, me llogaridhënie të shtuar dhe siguri më të lartë ligjore në lidhje me ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Në linjë me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2024 dhe angazhimet për reforma të ndërmarra nga Kosova në kuadër të Planit të Reformës dhe Rritjes, Komisioni e inkurajoi Kosovën të përshpejtojë zbatimin efikas të Strategjisë së RAP-it dhe asaj për Menaxhimin e Financave Publike, duke përfshirë konsultimet e rregullta me publikun dhe shoqërinë civile.
“Me kornizën ligjore të rishikuar për shërbimin publik të Kosovës, e cila prezanton një sërë reformash gjithëpërfshirëse që po zbatohen gradualisht, përfaqësuesit e KE-së theksuan rëndësinë e adresimit të sfidave të vazhdueshme, në veçanti lansimin e një sistemi të centralizuar të rekrutimit në shërbimin publik, zvogëlimin e numrit të emërimeve menaxheriale në detyrë dhe përfundimin e hapave të nevojshëm për zbatimin e reformës së pagave”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
KE-ja përshëndeti përparimin e shënuar në zbatimin e agjendës digjitale dhe të strategjisë së qeverisjes elektronike për të përmirësuar më tej ofrimin e shërbimeve të orientuara drejt qytetarëve dhe të programit të zvogëlimit të barrës administrative.
“Në kuadër të raportimit mbi përparimin e bërë, Kosova prezantoi Raportin e vitit 2024 për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, i cili u publikua për herë të parë në shtator të vitit 2025. Bazuar në këtë raport, Kosova informoi se rekrutimet e grave dhe të rinjve u rritën në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 dhe procedurat e rekrutimit tërhoqën një numër më të lartë aplikantësh”, thuhet në njoftim.
Kosova riafirmoi përkushtimin për të zbatuar në tërësi strategjitë për reformën e administratës dhe menaxhimin e financave publike, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, ndërsa palët u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin teknik për të garantuar një zbatim efikas dhe në kohë të reformave të ndërmarra.

Aksident në Maliq, shoferi humb kontrollin dhe del nga rruga...
Arteta nuk e ka të sigurt rinovimin e kontratës te Arsenali
Operacion i madh policor në Itali, kapen 1.4 ton drogë – afr...
Policia në Ferizaj ndëshkon dy kamionë me targa të huaja për...
Motra e Afrim Zhitisë në mbështetje të Albin Kurtit
Miliona euro dëm shtetit përmes tokave të shpronësuara, Prok...