“Hajdeni, unë e vrava”- Momenti kur arrestohet vrasësi i gjyqtarit në Tiranë

10:56 | 7 Tetor 2025
Q L

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik në Shqipëri, pasi gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit. Autori i dyshuar i krimit, Elvis Shkambi, pas ekzekutimit, është parë të qëndrojë qetësisht në oborrin e gjykatës, së bashku me xhaxhain e tij, duke pritur ardhjen e policisë.

Pamjet ekskluzive të publikuara nga JOQ Albania tregojnë momentin kur Shkambi, në vend që të largohej nga vendi i ngjarjes, qëndron me qetësi të plotë jashtë sallës së gjyqit. Ai nuk shfaq asnjë shenjë tensioni apo rezistence gjatë pritjes, ndërsa policia mbërrin me vonesë.

Sipas raportimeve, Shkambi thuhet se ka njoftuar vetë policinë me fjalët: “Hajdeni, unë jam vrasësi”, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi reagimin dhe gatishmërinë e forcave të rendit.

Dëshmitarë okularë dhe analiza të pamjeve të publikuara hedhin kritika të forta mbi mënyrën se si u menaxhua ngjarja nga strukturat e sigurisë. Forcat e rendit u panë të hyjnë në ambientet e gjykatës me vonesë, duke simuluar një “neutralizim” të autorit, i cili tashmë ishte në pritje të tyre dhe nuk paraqiste kërcënim aktiv.