Shkeli hapësirën ajrore të Estonisë, Rusia: Fluturimi, në përputhje me rregullat ndërkombëtare

09:23 | 20 Shtator 2025
E.K

Estonia ka kërkuar konsultime me anëtarët e tjerë të NATO-s pasi avionët luftarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore të premten.

Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar incidentin në më shumë detaje, pas kërkesës së Estonisë për konsultime, sipas Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Ministria e Jashtme e Estonisë e dënoi ndërhyrjen si “të paturpshme”. Ajo tha se tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në qiellin e Estonisë “pa leje dhe qëndruan atje për një total prej 12 minutash” mbi Gjirin e Finlandës.

Nga ana e saj, Rusia mohoi shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë duke argumentuar se fluturimi u zhvillua në përputhje të rreptë me rregullat ndërkombëtare.

“Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 kryen një fluturim të planifikuar nga Karelia në një aeroport në rajonin e Kaliningradit” midis Lituanisë dhe Polonisë. Fluturimi u zhvillua në përputhje të rreptë me rregullat ndërkombëtare për përdorimin e hapësirës ajrore, pa shkelur kufijtë e shteteve të tjera, gjë që u konfirmua nga mjetet e kontrollit të hapësirës ajrore”, tha Ministria e Mbrojtjes ruse.

Aleanca ushtarake “reagoi menjëherë dhe interceptoi avionin rus”, duke e quajtur atë “një tjetër shembull të sjelljes së pamatur ruse dhe aftësisë së NATO-s për t’u përgjigjur”. Italia, Finlanda dhe Suedia ngritën në ajër avionë luftarakë në kuadër të misionit të NATO-s për të forcuar krahun e saj lindor.

Tensionet janë përshkallëzuar midis aleancës ushtarake të NATO-s dhe Rusisë javën e fundit, pasi Polonia dhe Rumania, të dyja anëtare të NATO-s, thanë se dronët rusë shkelën hapësirën e tyre ajrore.