Shaqiri: Mund të isha 10-shi i Juventusit, por zgjodha Interin

16:02 | 10 Shtator 2025
E.G

Xherdan Shaqiri ka rrëfyer një episod interesant të karrierës së tij në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.

Ylli i Baselit tha se kishte mundësinë të transferohej te Juventusi, por përfundoi te Interi pas largimit nga Bayern Munich.

“Mund të isha 10-shi i Juventusit disa vite më herët, para se të shkoja në Inter. Ata më donin në vend të Diegos, i cili luante pas sulmuesve. Në Bayern nuk po luaja shumë dhe kisha hapur mundësinë e transferimit. Por më pas nuk ndodhi asgjë. Do më kishte pëlqyer në atë kohë, por shkoi mirë edhe kështu. Tashmë, në Itali bëj tifo për ‘Nerazzurri’,” tha Shaqiri.

Megjithatë, eksperienca e tij me Interin nuk rezultoi e suksesshme, dhe pas një periudhe të shkurtër në “San Siro”, ai kaloi te Stoke City, ku rigjeti formën që i hapi dyert për një transferim te Liverpool.

Më vonë, Shaqiri pati një periudhë të shkurtër me Olympique Lyon, para se të provonte një eksperiencë në MLS me Chicago Fire.

Sot, ai është rikthyer atje ku nisi gjithçka – te klubi i fëmijërisë, Basel./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale