Konjufca: Skenari i bllokimit nga Lista Serbe është tradhti shtetërore – ose funksionon Kuvendi, ose shkojmë në zgjedhje

12:43 | 7 Shtator 2025
E.H

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të dielën Mbledhjen e 59 të Këshillit të Përgjithshëm, që është organi më i lartë vendimmarrës të partisë.

Në këtë mbledhje kryetari i këtij subjekti Albin Kurti u propozua si mandat për kryeministër.

Nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca bëri prezantimin e Kurtit për mandatar.

“Ne kemi Kuvendin dhe do ta bëjmë Qeverinë, e kur jemi te qeveria jonë e ardhshme më lejoni ta propozoi për kryeministër kryetarin e LVV-së Albin Kurti”, tha Konjufca.

Konjufca theksoi se nuk mban mend të ketë pasur vit politikisht si ky aktual.

“Sivjet e pamë përpjekjen më të rrezikshme për mosnjohjen e rezultatit zgjedhor. Me apo pa vetëdije partitë politike që e kanë shpall vetën kundërshtare të LVV-së që nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve janë përpjekur ta thonë vetëm një gjë, e kjo është që vetëm një votë më pak se 50% dhe shteti mbetet pa Kuvend”, ka thënë Konjfuca.

Konjufca u shpreh se të jesh kundër themelimit të Kuvendit do të thotë të jesh kundër vetvetes.

“Kriza po zgjat ende sepse po mendojnë se nuk ka Republikë e as Kuvend nëse nuk zgjidhet një nënkryetar i Listës Serbe. Kur ishte çështja te kryetarja shqiptare e Vetëvendosjes partitë kundërshtare u bënë lehtë bashkë për ta kundërshtuar, kur erdhi çështja e të nënkryetarit serb jashtë Listës Serbe, u mobilizuan që kjo të mos ndodh. Të dy këto qëndrime janë antishtetrore”, tha Konjufca

Ai tha se rizat politike nuk vijnë nga qielli e as nuk rrinë pezull, ato krijohen e mirëmbahen nga sjelljet njerëzore

“Edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës. Qasja e saj ishte më shumë politike se kushtetuese. Ajo është para një vendimi të madh, Kushtetuta e Republikës tonë nuk jep kurrfarë supremacie në relacion me kryesinë e Kuvendit partisë fituese serbe, prandaj Gjykata nuk ka çfarë të interpretoi përveç Kushtetuës. Ose do të hapet rruga që Kuvendi të vazhdoj ose do të shkojmë në zgjedhje”, tha Konjufca.

Konjufca tha se skenari tjetër të cilin as që mund të imagjinoi është më i keqi i mundshëm.

“Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, skenar që i jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të mbetet peng i Listës Serbe”, tha Konjufca. /Telegrafi/

LEXO EDHE:

VV propozon Albin Kurtin kandidat për kryeministër

VV propozon Albin Kurtin kandidat për kryeministër

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme