Emina Çunmulaj dhuron 10 mijë euro për “Bibliotekën e Fëmijëve” në Prishtinë

16:42 | 25 Gusht 2025
E.G

Modelja dhe filantropja Emina Çunmulaj ka dhuruar sot 10 mijë euro për “Biblotekën e Fëmijëve” në Prishtinë.

Në ambientet e “Bibliotekës së Fëmijëve” në Pallatin e Rinisë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e priti në takim Çunmulajn për të diskutuar rreth projektit “The Library Project – Kosova” për modernizimin e bibliotekave dhe lexim-kuptueshmërinë për nxënësit kosovarë.

Ajo tha se që nga fillimi i propozimit të këtij projekti, ka qenë gjithmonë e gatshme për të kontribuar dhe për të krijuar një librari të pavarur.

“Si nanë e tre fëmijëve, si dikush që jam kundër teknologjisë në përdorimin për çdo ditor. Shpresoj se nuk do të keqkuptohet kjo se çka du me thanë. Jam një nanë që mundohet sado pak me i rritë ata fëmijë që i kam me tradita, me ato që jam rritë edhe unë, nuk besoj se kam me ja dalë se është edhe koha tjetër qysh, por po mundohem. Kur e kuptova se në fakt në gjithë Prishtinën nuk ekziston një librari e fëmijëve, edhe këtë po e ceku, jo e kapun për një shkolle, jo e kapun për një librarie tjetër, një librari e pavarur. Atëherë pa menduar ju kam thënë më llogarisni edhe mua, jam aty në gjithësecilën mënyrë me ju ndihmu”, tha ajo.

Sa i përket donacionit të dhuruar prej 10 mijë euro, ajo tregoi se paratë nuk vijnë vetëm nga ajo por shumë njerëz janë bërë bashkë për të mbledhur shumën e dhuruar.

“Këto para që janë të dhuruara sot për librarinë, nuk vijnë vetëm nga unë. Këto vijnë nga i gjithë populli që janë bashkuar së bashku, sepse edhe ata besojnë se fëmijët meritojnë me e pasë një vend ku munden me ardhë, ku është i shëndoshë, ku mund të ikin edhe nga problemet familjare, ku në fakt nuk do të jenë rreth rrjeteve sociale edhe shpresoj se vitin tjetër kur të vijë do të jetë e përfunduar dhe do t’i sjellë edhe fëmijët e mi të kënaqën këtu”, u shpreh Çunmulaj.