Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili detyron mbi 1,300 biznese të kalojnë në “treg të lirë të energjisë”.
Kryetari i PDK-së përmes një postimi ka thënë se ky vendim është i padrejtë dhe se ZRRE nuk ka krijuar as kushtet minimale për zbatimin e tij. Ai kujtoi se PDK e kishte nisur këtë betejë në gjykatat e rregullta, por Gjykata Themelore e kishte refuzuar kërkesën e tyre, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte legjitimuar refuzimin duke i hapur rrugë zbatimit të vendimit të ZRRE-së.
“Në konsultim me Avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRRE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se do të kërkojnë masë të përkohshme, në mënyrë që, sipas tij, ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
“Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria”, ka shtuar Krasniqi.
Krasniqi siguroi se PDK do të qëndrojë deri në fund në krah të qytetarëve dhe ndërmarrësve, për siç ka thënë, për ta ndalë këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik.
Eskalon debati në Big Brother VIP Albania 5
Fshehur në ngarkesën me arra, sekuestrohen 435 kg kokainë në...
Rritja e Nico Paz në Serie A, por edhe emra tjerë nuk mbeten...
Vuçiq thotë se ka pritur më shumë nga Trumpi
Shqipëria s’do ta rrisë çmimin e rrymës më 2026, thotë Karak...
Moti nesër dhe ditëve në vazhdim