Ndryshimet e humorit nuk janë gjithmonë pasojë e frikës apo tekave tona
Nervoza, shpesh edhe zemërimi pa arsye, janë pjesë përbërëse e disa sëmundjeve. Mjekët thonë se këto ndryshime të humorit nuk janë gjithmonë rezultat i frikës apo tekave të pacientit, por edhe i mekanizmave të caktuar që ndonjëherë formojnë gjendjen tonë shpirtërore. Këto simptoma nuk janë domosdoshmërisht pjesë e sëmundjeve psikiatrike. Irritimi dhe shpërthimet e zemërimit, kur personi i sëmurë është i ashpër edhe ndaj vetes, mund të jenë shenja të dëmtimeve serioze organike.
Goditja në tru
Goditja në tru është deficit neurologjik për shkak të dëmtimit të enëve të gjakut në tru, që pengon furnizimin me oksigjen dhe ushqyes në pjesë të trurit. Ajo shfaqet shpesh papritur; personi nuk është plotësisht i vetëdijshëm për atë që ndodh dhe është normale që pacienti të ndihet i shqetësuar kur kalon faza akute dhe fillon rehabilitimi. Përveç frikës nga një goditje e dytë, nuk është e pazakontë që pacienti të përjetojë ndryshime të papritura të humorit, sidomos nëse goditja ka dëmtuar pjesë të trurit që kontrollojnë emocionet. Pacienti mund të ndihet i shqetësuar, i frustruar, i dekurajuar, por edhe të reagojë me zemërim të madh, ndonjëherë pa një “arsye të dukshme.”
Sëmundja e Alzheimerit
Forma më e shpeshtë e demencës është sëmundja e Alzheimerit, e cila në fillim mund të shoqërohet me ndryshime të personalitetit. Një person që zakonisht ka qenë i qetë dhe me shumë takt, papritmas mund të bëhet i irrituar, i shqetësuar dhe nervoz pa një shkak të qartë. Nervoza nuk është shenja e parë e kësaj sëmundjeje, e cila dobëson gradualisht aftësitë intelektuale dhe shkathtësitë sociale. Disa studime theksojnë se shenjat e hershme mund të jenë të fshehura në mënyrën e të folurit të pacientit.
Autizmi
Autizmi është një çrregullim kompleks i zhvillimit që zakonisht vihet re gjatë tre viteve të para të jetës. Personat me këtë çrregullim reagojnë shumë keq ndaj situatave të paparashikuara. Ata preferojnë rutinën e përditshme, dhe çdo ndryshim i befasishëm mund të shkaktojë pakënaqësi të madhe, zemërim, madje edhe vetëdëmtim, transmeton Telegrafi.