Në një hap të rëndësishëm institucional, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë zyrtare për vlerësimin e konfliktit kushtetues të kompetencave.
Kjo kërkesë vjen në një moment kritik për funksionimin e institucioneve të shtetit, pasi Kuvendi i Kosovës nuk është arritur të konstituohet brenda afatit kushtetues 30-ditor, të përcaktuar në nenin 66 të Kushtetutës dhe në aktgjykimin KO124/25 të vetë Gjykatës Kushtetuese.
Pse kërkesa është e rëndësishme?
Sipas dokumentit që ka siguruar Telegrafi, Presidentja thekson se kjo situatë përbën një krizë të rëndë institucionale, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin kushtetues të institucioneve dhe në ushtrimin e kompetencave të saj si garantuese e rendit demokratik. Për këtë arsye, ajo ka kërkuar:
Vlerësimin e konfliktit kushtetues të kompetencave, mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë;
Sqarimin e pasojave juridike, në rast të tejkalimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit;
Vendosjen e një mase të përkohshme, për pezullimin e rrjedhës së mëtejme të afatit 30-ditor, derisa të merret një vendim përfundimtar nga Gjykata.
Presidentja: “Rrezikohet themeli i shtetit”
Në dokumentin voluminoz të paraqitur në Gjykatë, Presidentja Osmani argumenton se moskonstituimi i Kuvendit e pengon jo vetëm ushtrimin e funksioneve të Kuvendit vetë, por edhe të Qeverisë dhe Presidencës. Sipas saj, kjo përbën cenim të sovranitetit të qytetarëve, ndarjes së pushteteve dhe funksionalitetit të shtetit.
“Një rend kushtetues që nuk është funksional në praktikë, nuk mund të garantojë as të drejta, as përfaqësim, as llogaridhënie – dhe si rrjedhojë, nuk mund të ruajë legjitimitetin e tij tek qytetarët,” thuhet në kërkesën e saj.
Ajo shton se është e pamundur të realizojë një sërë kompetencash kushtetuese, si:
Caktimi i mandatarit për formimin e Qeverisë;
Emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese;
Dekretimi i marrëveshjeve ndërkombëtare;
Ushtrimi i funksioneve si Komandante Supreme e FSK-së;
Udhëheqja e politikës së jashtme në bashkërendim me Qeverinë.
Kuvendi i pakoonstituuar: çfarë pasoja sjell?
Kërkesa shtjellon gjithashtu pyetjen thelbësore:
Çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas afatit 30-ditor?
A janë aktet që ai nxjerr të vlefshme?
A mund të konsiderohet ai si institucion legjitim për të bashkëvepruar me Presidenten?
Presidentja kërkon që Gjykata të qartësojë nëse veprimet e një Kuvendi të tillë janë kushtetuese dhe cilat janë pasojat për sigurinë juridike dhe institucionale në vend.
Kërkesë për masë të përkohshme: të ndalet afati deri në vendim
Një ndër pikat më të rëndësishme të kërkesës është kërkesa për masë të përkohshme. Presidentja kërkon që Gjykata ta pezullojë rrjedhjen e mëtejme të afatit 30-ditor, duke e konsideruar këtë si masë të domosdoshme për të parandaluar “dëme të pariparueshme” ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë institucionale.
Sipas saj, në mungesë të një konstituimi të Kuvendit brenda afatit kushtetues, vendi hyn në një zonë gri ligjore dhe institucionale, ku çdo vendim mund të kontestohet, çdo akt mund të quhet jolegjitim dhe vetë qytetarët humbasin përfaqësimin e tyre kushtetues.
Ndërhyrja e Gjykatës: vendimtare për stabilitetin shtetëror
Presidentja vë në dukje se në mungesë të një mekanizmi tjetër, Gjykata Kushtetuese mbetet institucioni i vetëm që mund të japë sqarim dhe të rivendosë qartësinë juridike.
Ajo i referohet precedentëve të mëhershëm të Gjykatës, ku është pranuar që konflikti i kompetencave mund të trajtohet edhe në mënyrë preventive (ex-ante), për të parandaluar kriza më të thella.
Ajo shton se nëse kjo çështje nuk adresohet me urgjencë, rrezikohet legjitimiteti i të gjithë institucioneve, përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe vetë Presidencën – si dhe siguria e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ky është një ndër rastet më të rëndësishme të adresuara ndonjëherë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Një vendim nga kjo Gjykatë pritet të qartësojë përfundimisht rolin e Presidentes në raste të bllokadës institucionale, pasojat e mosrespektimit të afateve kushtetuese dhe vlefshmërinë e akteve të një Kuvendi të konstituar jashtë afatit.
Në fund të kërkesës, Presidentja shprehet se kjo nuk është një çështje politike, por ekzistenciale për shtetin e së drejtës dhe përkushtimin e Kosovës ndaj rendit kushtetues.
LEXO EDHE:
Osmani i drejtohet Kushtetueses me kërkesë për sqarim rreth konstituimit të Kuvendit
Presidentja Osmani i kërkon Kushtetueses masë të përkohshme për pezullimin e afatit prej 30 ditësh
Sergio Ramos luan ndeshjen e fundit në Meksikë, tani i lirë ...
Koha e duhur për municione? Kosova futet në lojë
Policia arrin t’i arrestoj dy të dyshuar në Gjilan, në filli...
Rekomandimi i “Travel and Tour World”: Vizitoni Shqipërinë g...
Më shumë diell, më pak shi – Parashikimi i motit për p...
Tahiri: Çmimet në Kosovë çdo ditë më shtrenjtë, vetëm pagat ...