Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ishte i ftuar special i Festivalit Ndërkombëtar Herrenkizme, në një nga rezidencat historike më madhështore të Mbretit Ludovik II në Bavari. Në një atmosferë solemne dhe muzikë klasike të Johann Sebastian Bach (Bah), Kryeministri Rama mbajti fjalën përshëndetëse, duke theksuar vlerat e kulturës, dialogut, miqësisë dhe Evropës.
“Të kujtojmë se Europa nuk ka qenë kurrë veç një traktat a një monedhë, as thjesht një parlament apo një treg. Europa ka qenë dhe duhet të mbetet një civilizim. Ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore. Në sfidën e tij të heshtur, ai është një mbledhje rezistence. Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Europën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor. Rezistencë ndaj zhurmës që mbyt zërin njerëzor”, tha Rama.
Kryeministri, para një audience të zgjedhur, tha se gjendemi në një kohë kur Europa, shtëpia jonë e përbashkët, trashëgimia jonë kolektive, është e rrethuar nga oshtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur bashkë.
“Bavaria na kujton se fuqia ekonomike dhe thellësia kulturore nuk janë të kundërta — janë binjake; se begatia pa poezi është e zbrazët; se pushteti pa kujtesë është i verbër; se Europa pa shpirt nuk është më Europë. Dhe nëse duhet të riarmatosemi për të mbrojtur tokën europiane, na duhet, njëkohësisht, të rishpikim veten, për të mbrojtur shpirtin e Europës”, theksoi kryeministri.
Rama kujtoi vizitën e ish-kryeministrit bavarez, Strauss në Shqipërinë komuniste në vitin 1984, i cili i zgjati dorën dhe gatishmërinë e tij një vendi të braktisur, por regjimi nuk pranoi. Kryeministri u shpreh se marrëdhëniet me Bavarinë konsolidohen çdo vit e më shumë. Ai përcolli vlerësime për kryeministrin bavarez, Söder, zërin dhe vizionin e tij për Bavarinë, si dhe respektin për larminë europiane. Më pas, Kryeministri iu bashkua pritjes shtetërore të organizuar në ambientet e pallatit mbretëror./rtsh.al
Aksident i rëndë në Tiranë, vdes 38-vjeçari
Edi: Dolce në Itali e ka Grande Fratello, këtu e ka Grande A...
Rubio kritikon BE-në për gjobën ndaj platformës X
FFK-ja reagon pas shortit të Botërorit
Kurti: Kosova histori suksesi në Indeksin Global mbi Krimin ...
Rritet numri i aplikuesve nga diaspora për votim në zgjedhj...