Kryeprokurorja e Specializuar thotë se vendimi i sotëm ndaj Pjetër Shalës e përforcon sundimin e ligjit

19:33 | 14 Korrik 2025
E.G

Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West e ka mirëpritur vendimin e uljes së dënimit në shkallë të dytë ndaj Pjetër Shalës nga 18 vjet në 13 vjet burgim për krime lufte.

“E mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili përforcon sundimin e ligjit dhe kontribuon në arritjen e vënies para përgjegjësisë për krime serioze dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat e z. Shala”, citohet të ketë thënë Kimberly West.

West ka theksuar ZPS-ja do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Mbaj shënim ndryshimin e gjatësisë së dënimit të shqiptuar dhe konstatimet e tjera të gjykatës. Zyra ime do ta shqyrtojë me kujdes të gjithë aktgjykimin ditët e ardhshme”, citohet të ketë thënë kryeprokurorja.

Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka shpallur të hënën aktgjykim dënues ndaj Pjetër Shalës, duke e dënuar me 13 vjet burgim. Kjo Gjykatë, ia uli dënimin Shalës, i cili nga shkalla e parë e Speciales ishte dënuar me 18 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga Michele Picard- kryetare, dhe gjyqtarët Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

Gjykatësi Ambos i cili lexoi aktgjykimin, tha se Apeli miratoi pjesërisht pikën 7, 12 dhe 14 të ankesës së Shalës, kurse rrëzoi apelin për aspektet e tjera.

“Miraton pjesërisht pikën 7, pjesërisht pikën 12 dhe pjesërisht pikën 14 të apelit të zotit Shala. Rrëzon pjesërisht verdiktin e fajësisë për pikën 1 dhe 3 të aktakuzës në lidhje me pjesët e tyre që bazohen në ndalimin arbitrar të dy personave dhe në torturimin e pesë personave. Rrëzon apelin e zotit Shala për të gjitha aspektet tjera. Lë në fuqi pjesën tjetër të verdiktit të fajësisë të zotit Shalën për krimin e luftës së ndalimit arbitrar në bazë të nenit 14 (1c) dhhe neni 16 (1a) të Ligjit, sipas pikës 1 të aktakuzës- krimin e luftës të torturës dhe krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”, tha Ambos.

Gjykatësi tha se Apeli lë në fuqi dënimin me 6 vjet burgim për pikën 1 të aktakuzës, kurse anulon vendimi me 16 vjet burgim për pikën 3 të aktakuzës.

Kjo Gjykatë, dënoi Shalën me 13 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës. Kurse, anuloi dënimin me 18 vjet burgim për po atë pikë akuzës dhe caktoi dënim me 13 vjet burgim.

Apeli anuloi dënimin unik me 18 vjet burgim të shpallur nga shkalla e parë dhe e dënoi Shalën me 13 vjet burgim, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.

Shala ishte arrestuar më 16 mars 2021 dhe më pas u transferua në Hagë më 15 prill 2021. Nga ajo kohë, ai gjendet në paraburgim.

Shala në këtë seancë ishte i pranishëm përmes video-lidhjes.

Në këtë rast janë mbajtur dy seanca të Apelit (15 dhe 16 maj 2025) në të cilat mbrojtja ka kërkuar lirimin e Shalës ose rikthimin e çështjes në rigjykim, ndërsa Prokuroria ka thënë se trupi gjykues në këtë rast ka vendosur drejt. Ngjashëm sikurse Prokuroria, qëndrimin e ka pasur edhe mbrojtësi i viktimave.

Ndryshe, më 28 mars 2025 është hudhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes që në Apel të thirret Sokol Dobruna si dëshmitar i saj.

Në vendimin e saj, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.

Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro. Megjithatë, vendimi për apelin kundër urdhrit për zhdëmtim nuk do të merret në kuadër të aktgjykimit të Apelit.

Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër.

Më 16 korrik, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim, ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Apeli ia ul dënimin Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet burgim

Shpërndaje në rrjete sociale