Qendra `Linja e Jetës`: Mos i bëni tentativat për vetëvrasje sensacion

22:36 | 20 Qershor 2025
Q L

Qendra Linja e Jetës i bën thirrje qytetarëve të mos shpërndajnë foto dhe video nga vendet e tentativave për vetëvrasje. Ajo nxit qytetarët që në këto raste të kontaktojnë shërbimet emergjente për t’iu ardhur në ndihmë personave në krizë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes dhe respektit ndaj privatësisë.

Qendra për parandalimin e vetëvrasjeve, Linja e Jetës, bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos kontribuojnë në stigmatizimin e personave në krizë, duke shmangur publikimin dhe shpërndarjen e fotove e videove nga vendi i ngjarjes në portale apo rrjete sociale personale. Në vend të kësaj, qytetarët inkurajohen që të lajmërojnë menjëherë shërbimet emergjente për t’u ofruar ndihmë atyre që janë në nevojë.

“Rastet e tentativave për vetëvrasje nuk janë thirrje për senzacionalizëm mediatik apo shkelje të privatësisë, por situata që kërkojnë ndërhyrje emergjente për të siguruar mbështetje dhe siguri për personat në nevojë”, thuhet në njoftimin zyrtar të qendrës.

Numrat e shërbimeve emergjente që qytetarët mund të kontaktojnë janë:

Policia e Kosovës: 192

Ndihma e Shpejtë: 194

Zjarrfikësit: 193

Linja e Jetës: 0800 12345

Linja e Jetës ofron gjithashtu mbështetje falas dhe konfidenciale për personat që përjetojnë shqetësime emocionale apo mendime për vetëvrasje, përmes linjës telefonike 0800 12345 dhe chat-it në faqen chat.linja-e-jetes.org.

“Nëse po përjetoni momente të vështira emocionale, mos ngurroni të kërkoni ndihmë. Ne jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe për t’ju mbështetur”, theksojnë përfaqësues të qendrës.