Shqipëria është vlerësuar pozitivisht për përparimin e bërë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjatë mbledhjes së 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, të zhvilluar sot në Strasburg.
Në deklaratën përmbyllëse të përbashkët, u theksua angazhimi i palëkundur i Shqipërisë ndaj procesit të integrimit evropian, i cilësuar si një shtysë thelbësore për zhvillimin e vendit. Komiteti vlerësoi gjithashtu faktin se Shqipëria, si vendi i parë kandidat që ka nisur negociatat me metodologjinë e re të zgjerimit, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në zbatimin e reformave kyçe.
Mbledhja u bashkëkryesua nga Marco Tarquinio, në emër të Parlamentit Evropian dhe Toni Gogu, në emër të Kuvendit të Shqipërisë, duke ofruar një platformë të rëndësishme për dialog konstruktiv ndërmjet delegacioneve të të gjitha forcave politike.
Roli i Kuvendit të Shqipërisë në përshpejtimin e këtyre reformave u konsiderua thelbësor, ndërsa u nënvizua domosdoshmëria e mbështetjes së vazhdueshme nga BE-ja në këtë proces. Komiteti përshëndeti gjithashtu përputhshmërinë e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, sidomos në përballjen me sfidat globale dhe në forcimin e stabilitetit rajonal përmes nismave si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Procesi i Berlinit.
Mbledhja e ardhshme e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri pritet të zhvillohet në Tiranë, gjatë gjysmës së dytë të këtij viti./tar
Ushtarët amerikanë ruajnë kufirin e Kosovës, KFOR publikon p...
Kurti u prit nga Macron në Paris, diskutuan për integrimin e...
“Jutarnji”/ Nga ëndërr në histori: Serbia është përshëndetur...
Goditet baza e armëve në Itali, arrestohet shqiptari dhe par...
Ja kur del paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik
Vrasja me tre plumba në Vushtrri, rikonstruktohet ngjarja tr...