A po zgjohet ushtria famëkeqe guerile – 19 sulme anembanë Kolumbisë, të paktën shtatë të vrarë

21:01 | 11 Qershor 2025
E.H

Në Kolumbi gjatë ditës së djeshme u kryen plot 19 sulme në mbarë vendin, dhe mediat lokale i lidhën këto sulme me ushtrinë guerile që ishte shuar zyrtarisht, e cila ka vepruar gjatë 50 viteve të fundit – Forcat Revolucionare të Armatosura të Kolumbisë (FARC).

Sipas raportimeve të mediave në Kolumbi, mënyrat e sulmeve përfshinin bomba në vetura, dronë dhe të shtënat me armë, dhe ndodhën në rajonet perëndimore Cauca dhe Valle del Cauca.

Raportimet e policisë thonë se u vranë të paktën shtatë persona, prej të cilëve dy ishin policë.

Objektivat e sulmeve ishin stacionet e policisë, ndërtesat komunale dhe civile, shkruan BBC.

Ministria përshkroi dhunën si “një reagim të dëshpëruar të grupeve të armatosura të paligjshme ndaj operacioneve masive të ushtrisë dhe policisë, të cilat kanë shkatërruar strukturat dhe ekonomitë e tyre të paligjshme”.

Kryetari i qytetit më të madh në rajonin e Cali-t tha se qyteti është kthyer në vitin 1989, kur ishte goditur nga trafiku i drogës dhe dhuna e kartelit.

Sulmet erdhën disa ditë pas një atentati të dështuar ndaj kandidatit të djathtë për president, Miguel Uribe Turbay, në kryeqytetin Bogotë, ndërsa ai po i drejtohej mbështetësve të tij.

Megjithëse askush nuk ka marrë përgjegjësi zyrtarisht, mediat lokale i lidhën sulmet me Forcat Revolucionare të Armatosura të Kolumbisë (FARC), grupin guerilas që ka vepruar nga viti 1966 deri në 2017.

Edhe pse është shpallur zyrtarisht e shuar, mënyra e kryerjes së këtyre sulmeve dhe fakti që objektivat ishin ndërtesa komunale dhe të policisë, të çojnë në përfundimin se sulmet i kanë kryer anëtarë të këtij grupi.

Gjatë periudhës kur ishin aktivë formalisht, forcat e FARC-ut zhvillonin luftë guerile kundër qeverisë së Kolumbisë, duke synuar të merrnin pushtetin dhe të krijonin një shtet komunist.

Metodat e tyre përfshinin rrëmbimin, shantazhin dhe prodhimin dhe shpërndarjen e drogës. Për këtë arsye shpesh ishin në përplasje me kartelët kolumbianë, përfshirë kartelin e Medellinit, që drejtohej nga Pablo Escobar. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme