Nesër tentativa e 29-të, Abdixhiku bën thirrje për krijimin e Qeverisë së Unitetit

22:57 | 8 Qershor 2025
E.H

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përsëritur thirrjen për krijimin e një Qeverie të Unitetit, përpara tentativës së 29-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Me anë të një postimi në Facebook, Abdixhiku ka theksuar se asnjë parti nuk ka arritur të sigurojë shumicën pas tre muajsh, ndërsa potencoi se vendi po shkon drejt një tjetër raundi pa epilog në Kuvend, përcjell Arbresh.info.

“Mes betejave partiake që s’përputhen askund, një e vërtetë na bërtet qartë: askush pas tre muajsh nuk ka një shumicë. Prandaj edhe tentativa e 29-të do të përfundojë pa epilog – veç si prolog i tjetrës,” ka shkruar Abdixhiku.

Ai paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të dalë me një Agjendë 15-pikëshe, një platformë konkrete për bashkëpunim ndërpartiak, të cilën do t’ua ofrojë të gjitha partive politike pa përjashtim, me qëllim të daljes nga bllokada aktuale politike.

“Shpresoj të kuptohet qartë: uniteti sot nuk është luks – është domosdoshmëri,” ka shtuar kreu i LDK-së, duke theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për një qeveri funksionale dhe legjitime.

Abdixhiku u ka bërë thirrje drejtuesve të partive politike që të shqyrtojnë seriozisht ofertën për Qeveri Uniteti, duke e trajtuar krizën aktuale me “guxim dhe përgjegjësi”.

“Të refuzosh është e lehtë. Të tallesh me një popull të tërë plot 28 herë është e rëndë. Le të provojmë unitetin – mund dhe të mos jetë aq keq,” përfundon Abdixhiku./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale